Autor: Jentezen Franklin

Perkthyer nga disa pjesa e librit "Fasting" qe shkruhet nga Franklin Jentezen.

Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë? Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

--“Psalmi” 42:1-3

Kapitulli 1

Agjërim për të patur depërtim

Çfarë është agjërimi? Përderisa ekzistojnë shumë ide të gabuara rreth tij, pikë së pari, unë dëshiroj që të sqaroj atë që agjërimi (agjërimi biblik) nuk është. Agjërimi nuk është thjesht qëndrimi pa ushqyer për një periudhë kohe. Kësaj i thonë dietë, ose ndoshta zi buke, por jo agjërim. Agjërim nuk është as diçka që bëhet vetëm nga fanatikët. Vërtetë që dua t’i mëshoj kësaj pike. Agjërimi nuk duhet bërë vetëm nga murgjërit fetarë të vetmuar diku në një shpellë. Praktika e agjërimit nuk është e kufizuar vetëm për shërbenjësit apo për raste të veçanta.

E thënë thjesht, agjërimi biblik është frenimi nga të ushqyerit, për një qëllim shpirtëror. Agjërimi ka qenë gjithnjë pjesë normale e një marrëdhënieje me Perëndinë. Siç shprehet nga kërkesa e flaktë e Davidit tek “Psalmi” 42, agjërimi e sjell personin në një marrëdhënie më të thellë, më intime e më të fuqishme me Zotin.

Kur ti eliminon ushqimin nga dieta jote për një numër të caktuar ditësh, fryma jote pastrohet nga çrregullsia që sjellin gjërat e kësaj bote dhe është e habitshme se sa e ndjeshme ndaj gjërave të Perëndisë fryma jote bëhet. Siç deklaroi edhe Davidi: “Një hon thërret një hon tjetër” (“Ps.” 42:7). Davidi ishte duke agjëruar. Uria dhe etja e tij për Perëndinë qenë më të mëdha sesa dëshira e tij e natyrshme për ushqim. Si rezultat, ai arriti në një pikë prej nga ai mund të thërriste që prej thellësisë së frymës së tij ndaj thellësisë së Perëndisë, paçka se qe në mes një sprove. Sapo të kesh përjetuar qoftë edhe një paraqitje të shkurtër të atij lloji intimiteti me Perëndinë tonë (Atin tonë, Krijuesin e shenjtë të universit), si dhe shpërblimet dhe bekimet e panumërta që pasojnë, e gjithë pikëpamja jote ka për të ndryshuar. Shumë shpejt do të kuptosh se agjërimi është një burim i fshehtë fuqie i cili nga shumë vetë nënvlerësohet.

Një litar tresh nuk këputet aq shpejt.

--“Predikuesi” 4:12

Gjatë viteve që Jezusi eci në këtë tokë, Ai i kushtoi kohë mësim-dhënies ndaj dishepujve të Tij, të parimeve të mbretërisë së Perëndisë, të cilat bien ndesh me ato të kësaj bote. Tek Lumnitë, specifikisht tek “Mateu” 6, Jezusi na ofroi këtë model me të cilin secili prej nesh duhet të jetojë një jetë si fëmi i Perëndisë. Ai model i adresohet tre detyrave specifike të një të krishteri: dhënia, lutja dhe agjërimi. Jezusi tha: Kur jep . . .” dhe “Kur lutesh . . .” dhe “Kur agjëron.” Ai e bëri të qartë se agjërimi, ashtu si dhënia dhe lutja, qe një pjesë normale e jetës së krishterë. Po aq vëmendje duhet t’i kushtohet agjërimit sa ç’i kushtohet edhe dhënies dhe lutjes.

Tre detyrat e çdo të krishteri janë dhënia, lutja dhe agjërimi.

Solomoni, kur shkroi librat e mençurisë për Izraelin, tregoi se një kordon apo litar, me tre fije të gërshetuara, nuk këputet kollaj (“Pred.” 4:12). Po kështu, kur dhënia, lutja dhe agjërimi praktikohen së bashku në jetën e një besimtari, ajo krijon një lloj litari të trefishtë i cili nuk këputet lehtë. Në fakt, siç do t’jua tregoj pas pak, Jezusi e çoi edhe më tej këtë duke thënë: “Asgjë nuk do të jetë e pamundshme” (“Mat.” 17:20).

A mund që depërtimet tona më të mëdha ne nuk i arrijmë për shkak se nuk agjërojmë? Ju kujtohet prodhimi tridhjetë, gjashtëdhjetë dhe njëqind fish për të cilin foli Jezusi (“Marku” 4:8, 20)? Shikojeni kështu: kur ju luteni, ju mund të çlironi një prodhim tridhjetë fish, kur si lutja dhe dhënia janë pjesë të jetës tënde, unë besoj se kjo çliron bekimin gjashtëdhjetë fish. Por kur të treja (dhënia, lutja dhe agjërimi) janë pjesë të jetës tënde, mund të çlirohet ai prodhimi i njëqindfishtë!

Nëse situata qëndron kështu, ti duhet të pyesësh veten se çfarë bekimesh nuk po çlirohen. Cilat përgjigje ndaj lutjeve nuk po arrijnë të vijnë? Cilat zgjedha nuk po thyhen për shkak se ne nuk agjërojmë?

“Mateu” tregon historinë e një babai i cili kishte një fëmi të demonizuar. Për vite me radhë ai kishte parë i pashpresë se si i biri vuante nga konvulsione të rënda. Sa më tepër që ai rritej, aq më të rënda bëheshin sulmet, e djali shpesh hidhej në zjarre të hapura apo në hendeqe me ujë. Një frymë vetëvrasëse e torturonte pa ndërprerje atë; situata u bë kërcënuese për jetën.

Pasi kishte bërë të gjitha përpjekjet për ta shëruar djalin (madje edhe duke e çuar më kot tek dishepujt), halli i këtij babai dukej i pamundur për t’u zgjidhur. Pastaj ai dëgjoi se Jezusi qe aty afër. Duke shkuar tek Mësuesi, ai thirri: “Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë. Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë” (“Mat.” 17:15, 16).

Kur atë djalë ia sollën Jezusit, Bibla thotë se Ai “e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua” (v. 18). Por ç’e bëri ndryshimin? Tek e fundit “Mateu” 10:1 tregon se Jezusi tashmë u kishte dhënë dishepujve fuqinë për të dëbuar frymët e liga si dhe për të shëruar çdo sëmundje. Përse atëherë dishepujt nuk mund ta dëbonin demonin dhe ta kuronin djalin?

Këtë donin të dinin edhe ata gjithashtu, kështu që më vonë atë mbroje, kur qenë vetëm për vetëm me Jezusin, ata e pyetën. Jezusi u përgjigj: “Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju. Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit” (“Mat.” 17:20-21).

Tani, atë pasazh unë e kam lexuar shpesh herë, dhe madje me raste edhe kam dhënë mësim rreth tij. Por çdo herë jam përqendruar tek deklarata “dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.” Mendoj se shumë njerëz ndalojnë këtu, por Jezusi jo, për shkak se Ai e dinte se kishte më tepër, shumë më tepër ende.

Kur ti me besnikëri ndjek tre detyrat e një të krishteri,

Perëndia të shpërblen haptas.

E shikoni, ajo fjalë interesante dhe e shkurtër por është lidhëza—është çelësi i cili çliron fuqinë në deklaratën “asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.” Jezusi u tha dishepujve se kishin nevojë për besim, madje besim aq të vogël sa edhe një kokrrizë. Por kjo nuk qe gjithçka. Shumë përpara këtij incidenti, Fryma e Shenjë e çoi Jezusin në shkretëtirë ku Ai kaloi dyzet ditë e dyzet net pa marrë asnjë ushqim. “Por ky lloj demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit.” Për Jezusin, dëbimi i një demoni kokëfortë nuk qe gjë e pamundur.

Nëse Jezusi mund të kryente gjithçka për të cilën Ai erdhi për të bërë, pa agjëruar, atëherë përse agjëroi Ai? Biri i Perëndisë agjëroi për shkak se Ai e dinte se kishte gjëra të mbinatyrshme të cilat mund të çliroheshin vetëm në atë mënyrë. Sa më tepër duhet që agjërimi të jetë një praktikë e zakonshme në jetën tonë?

Agjërimi është për të gjithë

Ndoshta ju po mendoni: “Unë ende nuk e di se si agjërimi mund të jetë për mua.” Sipas fjalëve të Jezusit, është detyra e çdo dishepulli, e çdo besimtari që të agjërojë. Kur u përgjigjet farisenjve duke u treguar arsyen përse dishepujt e Tij nuk agjëronin, Jezusi u tha kështu: “A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta? Por do të vijnë ditët kur do t’ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë” (“Luka” 5:34-35).

Atëherë do të agjërojnë ata. Jezusi nuk priste që dishepujt e Tij të bënin diçka të cilën Ai vetë nuk e kishte bërë. Jezusi agjëroi dhe sipas fjalëve të Pjetrit, Jezusi është shembulli ynë në gjithçka (“1 Pjet.” 2:21).

Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet,

madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.

--“Luka” 6:40

Ka edhe një pikë tjetër jetike të cilën dëshiroj që ju ta shikoni tek “Mateu” 6: Perëndia kënaqet kur jep shpërblime. Jo vetëm kaq, por Ai thotë se kur dhënia, lutja dhe agjërimi praktikohen në jetën tënde, Ai do të të “shpërblejë haptazi.”

Një shembull i mirë i një shpërblimi të tillë haptas, mund të gjendet tek “Danieli”. Ndërkohë që ishte në robërinë babilonase, agjërimi i tij—madje edhe agjërimi i pjesshëm nga disa ushqime të caktuara—solli një shpërblim të kryer haptazi nga Perëndia i Cili e bekoi Danielin me mençuri më të madhe se ajo e kujtdo tjetër në atë perandori.

Më vonë, në kapitullin 10, Danieli u brengos dhe u rëndua nga zbulesa që kishte marrë për Izraelin. Ai nuk hëngri bukët apo ushqimet e zgjedhura e as piu verë për tre javë. Pastaj ai përshkruan engjëllin i cili iu dërgua—i cili qe vonuar nga princi i Persisë për njëzet e një ditë—me përgjigjen të cilën Danieli kërkonte. Agjërimi i Tij e theu fuqinë e atij që vononte përgjigjen, si dhe çliroi engjëjt e Perëndisë në mënyrë që qëllimet e Perëndisë të mund të bëheshin të ditura e t’u shërbehej.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ndërkohë që do të vazhdoni të lexoni, do t’ju tregoj se si ky litar i trefishtë funksionon në çdo fushë të jetës tuaj. A dëshiron që të njohësh vullnetin e Perëndisë për jetën tënde, me kë të martohesh, apo se çfarë të bësh në një situatë kritike? Unë do të të tregoj se si agjërimi të çon në një vend ku mund të jesh në gjendje që qartësisht të dëgjosh vullnetin e Perëndisë.

Agjërimi gjithashtu e bën Perëndinë që të shënjestrojë fëmijët e tu. Do të mahniteshe po të dëgjoje dëshmitë që ne kemi dëgjuar rreth agjërimit. Ai ju sjell gjithashtu shëndet dhe shërim në trupin tuaj, si dhe begati financiare dhe bekimet e Perëndisë.

Edhe kur dëshiron që të jesh më afër Perëndisë, ose kur ke nevojë për një depërtim në jetën tënde, mbaj mend se asgjë nuk do jetë e pamundur për ty. Agjërimi është me të vërtetë një burim i fshehtë fuqie!

Pjesë nga kapitulli dy.

Komentatori i Biblës Methju Henri (Matthew Henry) shkroi: “Ata të cilët janë nën fuqinë e mendjes mishtore, do t’i përmbushin epshet e tyre, paçka se kjo do çojë në dëmtimin dhe rrënimin e sigurt të shpirtit të tyre të çmuar.” Dua që të kuptoni se ka disa “toka të premtuara” dhe disa “premtime” të cilat Perëndia i ka për ju. Në fakt, ne kemi një libër të tërë plot premtime, por disa prej tyre nuk do të përmbushen kurrë për sa kohë që Mbreti Stomak sundon oreksin tënd dhe kontrollon jetën tënde. Perëndia kishte bekime të mbinatyrshme për t’i derdhur mbi izraelitët në shkretëtirë, por ata preferuan orekset e tyre mishtore. Po kështu, Perëndia dëshiron të derdhë bekime mbinatyrore mbi jetën tonë, por ato nuk do të realizohen kurrë nëse ne nuk jemi të gatshëm për ta kërkuar Atë në agjërim dhe lutje.

Perëndia e di se për të agjëruar nuk është kurrë koha e përshtatshme.

Në jetën tonë të mbytur me punë, ka gjithnjë një ditë pushimi feste, një ditëlindje, drekë në zyrë ose diçka që krijon një pengesë në rrugë, e për rrjedhojë ne e bindim veten të mos e nisim agjërimin. Këshilla ime për ju, bazuar në përvojën time vetjake, është që thjesht të ndajmë mendjen dhe ta bëjmë, dhe gjithçka tjetër do rregullohet vetë. Nëse nuk ke agjëruar kurrë më përpara, bëje thjesht për një ditë dhe ke për ta parë se për çfarë e kam fjalën.

Arsyeja përse ne agjërojmë bashkërisht në Kapelën e Lirë në fillim të çdo viti, bazohet tek parimet që janë marrë prej librit të Dr. Bab Raxhërsit (Bob Rogers) 101 Arsye për të agjëruar (101 Reasons to Fast). Ka tre arsye përse fillimi i vitit me një agjërim përbën një praktikë të mirë. Së pari, duke vepruar kështu, ti cakton ecurinë për pjesën tjetër të vitit. Ashtu sikurse fillimi i ditës tënde me lutje, cakton ecurinë për pjesën tjetër të ditës dhe mbulon gjithçka që mund të ndodhë, e njëjta gjë vlen edhe për fillimin e vitit me një agjërim. Ti cakton ecurinë për të tërë vitin përmes asaj që bën me ato ditë të para të pakta të çdo Viti të Ri. Ti mund ta çosh këtë edhe më tej, për t’i dhënë Perëndisë pjesën e parë të çdo dite, ditën e parë të çdo jave, pjesën e parë të çdo leku, si dhe marrjen Atë të parin në konsideratë për çdo vendim që merr.

Së dyti: “Bekimet do të vijnë për ty dhe familjen tënde përgjatë gjithë vitit për shkak se ti agjërove në janar.” Edhe në prill, qershor apo gusht, edhe në dhjetor kur ke ëmbëlsirat e vitit të ri në mendje, bekimet do ta gjejnë ende rrugën për tek ti, për shkak të sakrificës tënde ndaj Zotit në fillim të vitit. Në fakt, rreth kohës së festës së Falënderimit, unë mora një telefonatë për të shkuar në bankë. Kur mbërrita, një burrë me të shoqen më takuan dhe më thanë: “Ja ku janë një milion dollarë për programin e ndërtimit.” Unë kisha harruar për agjërimin të cilin kishim bërë dhjetë muaj më përpara, por Perëndia jo. Ai jo vetëm që na dërgoi dikë me një dhuratë një milion dollarëshe, por gjithashtu dikë me një dhuratë 500,000 dollarëshe, një tjetër me 250,000 dollarë dhe një tjetër me 50,000 dollarë, pa llogaritur këtu milionat e grumbulluara që erdhën nga dhuratat që bëheshin rregullisht gjatë po atij viti.

Kjo pika e tretë është shumë e fuqishme. Nëse agjëron e lutesh në fillim të vitit, do vësh kësisoj në veprim parimin që gjendet tek “Mateu” 6:33: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t`ju shtohen” (theksimi është shtuar nga unë). Nëse e kërkon Atë të parin në atë vit, bëhu gati që të gjitha këto “gjëra” t’i shtohen jetës tënde gjatë vitit në vazhdim!

Nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni im i ushqimit.

--“Jobi” 23:12

Kapitulli 3

Sa shpesh?

Sa gjatë?

Sa shëndetshëm?

Në kapitullin e fundit, unë përshkrova shkatërrimin e disave që nuk arritën ta rrëzojnë nga froni Mbretin Stomak. Por Fjala e Perëndisë është përplot dëshmi të mrekullueshme të atyre që ia dolën mbanë. Gjatë një agjërimi dyzet ditor Moisiu mori Dhjetë Urdhëresat (“Eksodi”. 34:27-28). Kur Hamani urdhëroi asgjësimin dhe plaçkitjen e të gjithë judenjve, Esteri u bëri thirrje të tërë judenjve të qytetit të saj që të bashkoheshin me të në një agjërim tre ditor nga të gjitha ushqimet dhe uji. Rrjedhimisht, judenjtë u kursyen, plani i ulët i Hamanit u demaskua, dhe atë e varën në litarin që ai vetë kishte ngritur! (Shiko “Esteri” 4-7.) Hana, u brengos së tepërmi për paaftësinë e vet për të lindur një fëmi, “qua dhe nuk hëngri,” siç tregohet tek “1 Samueli” 1:7. Perëndia e dëgjoi përgjërimin e saj, dhe shumë shpejt lindi profeti Samuel. Juda, Ezdra, populli i Ninevesë, Nehemia, Davidi dhe Ana, janë ndër ata, agjërimi i të cilëve përmendet në Fjalë.

Llojet e agjërimeve

Bibla regjistron shumë rrethana, lloje dhe kohëzgjatje të ndryshme të agjërimeve. Përveç atyre të cilat sapo përmenda, Jozueu agjëroi për dyzet ditë, dhe Danieli pjesërisht agjëroi njëzet e një ditë. Tregohet se apostulli Pal qe të paktën dy herë në agjërim: njëri për tre ditë dhe tjetri për katërmbëdhjetë ditë. Pjetri agjëroi tre ditë, dhe, sigurisht, ne e dimë se Jezusi agjëroi dyzet ditë në shkretëtirë.

Tre llojet e agjërimit që gjenden në Shkrim, janë: agjërimi absolut, agjërimi normal si dhe agjërimi i pjesshëm. Së pari, një agjërim absolut është ekstrem e duhet bërë vetëm për periudha të shkurtra kohore. Në një agjërim absolut, personi nuk merr asgjë—as ushqim e as ujë. Në varësi të shëndetit tënd, ky agjërim duhet ndërmarrë vetëm me konsultimin dhe mbikëqyrjen nga mjeku.

Në një agjërim normal, zakonisht personi qëndron pa ushqim apo pije të çfarëdo lloji për një numër të caktuar ditësh. Ujë pi, e pi me bollëk! Në varësi të gjatësisë së agjërimit normal, ju mundet që gjithashtu të zgjidhni që të merrni lëng mishi shqeto si dhe lëngje frutash me qëllim që të ruani forcën tuaj.

E pastaj është edhe agjërimi i pjesshëm. Një agjërim i pjesshëm mund të interpretohet në shumë mënyra. Mënyra se si ai nuk mund të interpretohet është që në të të llogarisësh kohën ndërmjet orës 11:00 të mbrëmjes deri në 6:00 të mëngjesit kur personi është në gjumë! Një agjërim i pjesshëm zakonisht përfshin heqjen dorë nga ushqime dhe pije të caktuara për një periudhë të gjatë kohore.

Shembulli i përdorur më rëndom i një agjërimi të pjesshëm, gjendet tek libri i “Danielit”. Në fillim të robërisë së tij në Babiloni, Danieli dhe tre shokët e tij refuzuan që të hanë ushqimet dhe ëmbëlsirat e zgjedhura të tryezës së mbretit, duke kërkuar në vend të tyre të hanin vetëm zarzavate dhe të pinin vetëm ujë. Ata vepruan kështu për dhjetë ditë për të vërtetuar se do të ishin po aq të shëndetshëm sa edhe njerëzit e mbretit. Më vonë, në kapitullin 10, i pikëlluar për hallin që e kishte zënë Izraelin, Danieli filloi një agjërim tjetër të pjesshëm, duke mos ngrënë asnjë ëmbëlsirë, e as mish dhe duke mos pirë verë për tre javë, kohë kjo gjatë të cilës ai u përqendrua tek lutja. Në fund, lutja e tij mori përgjigjen nga një engjëll.

Kohëzgjatja e agjërimit mund të variojë. Ka disa numra shprehës që i gjejmë në Bibël, ndër to: tre ditë, shtatë ditë, njëzetenjë ditë si dhe dyzet ditë. Por gjithashtu ka referenca ndaj agjërimeve gjysmë ditore si dhe njëzetekatër orëshe.

Nuk ka asnjë formulë faktikisht që mund t’jua jap për të përcaktuar se cili lloj gjatësie agjërimi është i duhur për ty. Kohëzgjatja që ju zgjidhni të agjëroni, duhet të varet nga rrethanat e juaja, por mos u ngec tek hollësitë. Filloni me një ditë nga lindja e diellit në perëndim. Do të mahniteni kur të shikoni ndryshimin që qoftë edhe një agjërim një ditor i pjesshëm ose normal, ka për të sjellë në jetën tuaj. Kur isha adoleshent, unë agjëroja gjithë ditën të dielën deri pas kishe. Kjo më bënte shumë më të ndjeshëm ndaj Zotit. Unë isha aq i sinkronizuar nga ana frymore saqë pavarësisht nëse të tjerët merrnin ose jo një bekim atë ditë, unë për vete e merrja një!

Mos merr kafshata që s’t’i zë goja. Nuk është nevoja të tregohesh hero e të provosh një agjërim dyzet ditor nëse nuk ke agjëruar ndonjëherë as edhe një ditë në jetë. Vetëm fillo. Sapo të zbulosh dobitë, do të nisesh drejt bërjes së agjërimit, një praktikë të zakonshme në jetë.

Ka raste kur Zoti mund të të vërë në zemër që të futesh në një agjërim më të gjatë, por, për shumicën, një agjërim tre ditor është shumë praktik. Një “agjërim Danieli,” duke eliminuar mishin, bukën dhe ëmbëlsirat për njëzetenjë ditë, është një agjërim të cilin pothuajse të gjithë mund ta përballojnë. Disa mendojnë se po të eliminosh vetëm ato tre ushqime nga dieta jote, për tre javë, kjo nuk përbën ndonjë problem të madh. Por nëse kjo është diçka për ty, do të jetë diçka edhe për Perëndinë. Tek e fundit, kur qe hera e fundit kur engjëj u lejuan të të tregojnë mistere, ashtu siç bëri kryeengjëlli Majkëll kur i foli Danielit?

Nëse nuk ka asnjë rëndësi për ty,

nuk do të ketë asnjë rëndësi edhe për Perëndinë.

Në agjërime të gjata, unë pi ujë, lëngje frutash dhe edhe lëng mishi kur e ndjej se kam nevojë për pak më shumë forcë shtesë. Restoranti vendor i rrjetit Chick-fil-A është mësuar kaq shumë me festat tona të përvitshme në Kapelën e Lirë saqë ata tani me gatishmëri e kullon supën me pulë e makarona petashuqe, që ne të blejmë thjesht një filxhan lëng mishi!

Udhëzime praktike

Dua t’ju jap disa udhëzime praktike rreth agjërimit, të cilat mendoj se do t’i gjeni të dobishme. Kurdoherë që filloni një agjërim, mos harroni se nëse ai nuk ka rëndësi për ty, nuk do të ketë as për Perëndinë. Pa e ndërthurur me lutje dhe Fjalën, agjërimi është vetëm pak më shumë se mbajtja dietë. Por unë dua që të kuptoni diçka shumë të rëndësishme: agjërimi në vetvete është një lutje e vazhdueshme përpara Perëndisë. Mund të ketë ditë kur qielli hapet dhe zemra jote nxitet për t’u futur në kohë më të thella lutjeje. Por mund të ketë ditë të tjera kur të është prerë energjia e duket sikur nuk arrin dot të përqendrohesh aspak në lutje. Mos e dëno veten për këtë. Perëndia e shikon sakrificën tënde. Kur agjëron, nuk është koha që të ulesh përpara televizorit. Tek e fundit, përse ta torturosh veten duke parë tërë ato reklama ushqimore që shfaqen aty?

Mund t’jua vërtetoj nga përvoja ime—nuk është ide e mirë kjo! Unë e kam pjesë të rutinës së zakonshme që të shikoj lajmet përpara se të bie në shtrat. Gjatë javës së dytë të agjërimit të parë njëzetenjë ditor timin, rrjeti i restoranteve Pizza Hut prezantoi picën e tyre të re të quajtur picë tepsie. Natë për natë, gjatë lajmeve, aty rreth orës 11:17, pamjet e djathit të shkrirë e në formë flluskash, të kores së trashë, salcës së pasur së domateve, si dhe shtresave të ndryshme të sipërme, ishin ato të cilat shfaqeshin në plan të parë. Ata ngrinin një pjesë pice nga tepsia e thellë dhe djathi pikonte poshtë. E dija shumë mirë se ku do të shkoja pasi të mbaroja atë agjërim! Faktikisht me zor i prisja ato reklama! Një natë po shikoja ëndërr sikur do të haja një nga ato pjesët e picës së tepsisë. Ajo ëndërr qe kaq reale, më kujtohet që ndërgjegjja më bërtiti: “Kjo nuk është gjë e mirë! Mos e bëj . . . edhe një javë të ka mbetur!” Por unë e futa në gojë dhe vazhdoja e vazhdoja ta përtypja. Qe kaq e mirë! Pas pak minutash u zgjova, mjaft i habitur që pashë se kisha rrasur pothuajse gjysmën e jastëkut në gojë!

Agjërimi është si pastrim me themeli për trupin tuaj!

Kur fillon agjërime më të gjatë, nuk është ide e mirë që të hash sa të fryhesh disa ditë përpara. Faktikisht duhet që të fillosh të pakësosh sasinë e ushqimit që merr, në përgatitje për agjërimin. Pavarësisht kohëzgjatjes së agjërimit tënd, kur e fillon, duhet të përpiqesh të pish të paktën tre litra e gjysmë ujë të pastruar gjatë ditës së parë. Unë nuk rekomandoj ujë çesmeje për shkak të papastërtive që ai mund të përmbajë. Uji i pastruar apo i distiluar, shpëlan toksina dhe helmin duke e nxjerrë jashtë sistemit tënd, dhe ka për të të ndihmuar që të kesh një nisje të mirë. Uji të bën gjithashtu të ndjehesh i ngopur! Uji është miku më i ngushtë i agjëruesit, kështu që vazhdo të pish ujë me shumicë përgjatë gjithë agjërimit.

Kur nis një agjërim, ditën e parë ose të dytë, mua shpesh më zë dhimbja e kokës. Shumë njerëz më kanë thënë se djalli i ka bërë me dhembje koke. Por ka më shumë të ngjarë që të jetë trupi yt i cili po eliminon toksina të cilat janë akumuluar gjatë një periudhe kohore. E kupton, agjërimi është si pastrim me themeli për trupin tënd! Ai i jep një pushim të gjithë sistemit tretës tëndit, dhe, nga pikëpamja mjekësore, kjo është diçka shumë e shëndetshme. Nëse gjatë agjërimit të zë koka, kjo është një shenjë që tregon se të është dashur të agjërosh. Dhimbjet e kokës vijnë si rezultat i papastërtive dhe helmeve që trupi po djeg për të patur energji. Pas tre ditësh, dhimbjet e kokës zakonisht zhduken.

Kurdoherë që agjëron, për të paktën tre ditë, sistemi yt tretës mbyllet. Do të tregohem i sinqertë me ju; kjo nuk është gjithnjë e këndshme. Disa ndjehen të plogësht, kanë dhimbje koke e nuk i zë gjumi dhe, le ta pranojmë, do t’ju kapë uria! Por dua t’ju siguroj që sapo të kalosh dy ditët e para, nëse do të vazhdosh të pish ujë dhe lëngje frutash me bollëk, ato toksina dhe helme do të shpëlahen nga trupi juaj, dhe do të gjesh atë që mund të përshkruhet si një vend i ëmbël në agjërim!

Kur kam qenë në një agjërim të zgjatur, në ditët e para, ndërkohë që trupi më zbrazej prej toksinave, nuk pashë ndonjë engjëll e as dëgjova violina. Në fakt, nuk më vinte shumë të përqendrohesha në lutje dhe në Fjalë. Por pa dyshim, gjërat shumë shpejt qartësohen, dhe gjen një vend më të thellë tek Perëndia, vend ky në të cilin gjërat e tjera nuk kanë më rëndësi.

Solomoni tha: “Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell” (“Pred.” 1:9). Paçka se burra e gra të Perëndisë kanë agjëruar që prej kohëve të lashta, sot ne kemi shumë libra të rij në rafte të cilët reklamojnë dobitë e shëndetshme fizike të kësaj praktike. Edhe mjeku grek Hipokrati (afërsisht 460-377 para K.), i njohur si “babai i mjekësisë moderne”, konceptet e të cilit kanë ndikuar zhvillimin e praktikave mjekësore për shekuj me radhë, besonte se agjërimi qe shumë i shëndetshëm për trupin.

Në librin e tij 101 Arsye për të Agjëruar, pastori Bab Raxhërs citon shumë thënie të Hipokratit si dhe të të tjerëve të cilët kanë zbuluar dobitë e shumta mjekësore që agjërimi mund të ketë mbi trupin. Agjërimi e pastron trupin. Ndërkohë që filloni një agjërim, do të vini re një lloj veshje të gjuhës për ca ditë. Kjo është një shenjë e cila tregon se agjërimi po ta ndihmon trupin që të eliminojë toksina. Testet kanë vërtetuar se një amerikan i zakonshëm konsumon dhe asimilon dy kilogram konservantësh, ngjyrosës, stabilizantësh, aromatizuesa si dhe lëndë të tjera varësi-krijuese, për çdo vit. Këto akumulohen në trupat tanë dhe shkaktojnë sëmundje dhe lëngata. Agjërimet periodike janë të domosdoshme për të shpëlarë helmet. Agjërimi i jep trupit tënd kohë për t’u vetë-shëruar. Ai lehtëson nervozizmin dhe tensionin dhe i jep prehje sistemit tënd tretës. Agjërimi ul tensionin tënd të gjakut dhe mund të ulë edhe kolesterolin.

Don Kallbërt (Don Colbert), MD, ka bërë kërkime shkencore dhe studime rreth nevojës së trupit për ta zbrazur veten nga toksina të cilat shkaktojnë sëmundje, lëngata, këputje si dhe shumë gjendje të tjera të këqija. Për shkak se unë nuk synoj që në këtë libër të trajtoj çdo aspekt mjekësor si dhe dobitë e agjërimit, do të rekomandoj librin e tij Çlirim nga toksina (Toxic Relief) për të lexuar udhëzime specifike mjekësore rreth agjërimit. Kapitulli i tij i titulluar “Gjetja e shërimit përmes agjërimit” është një burim i shkëlqyer informacioni dhe paralajmërimesh. Ai thotë: “Agjërimi nuk është se vetëm sa parandalon sëmundje. Nëse kryhet në mënyrën e duhur, agjërimi përmban veti të jashtëzakonshme shëruese për ata prej nesh që vuajnë nga sëmundje dhe lëngata. Duke filluar që nga të ftohurit dhe gripi e deri tek sëmundjet e zemrës, agjërimi është një çelës i fuqishëm për shërimin e trupit.”

Dr. Oda H. H. Birçinger (Oda H. F. Birchinger), e cila mbikëqyri më shumë se shtatëdhjetë mijë agjërime, deklaroi: “Agjërimi është një rrugë mbretërore drejt shërimit, për këdo që bie dakord që ta kryejë, për shërimin dhe rigjenerimin e trupit, mendjes dhe frymës.” Ai vazhdoi më tej duke thënë: “Agjërimi mund të shërojë dhe ndihmojë reumatizmin në kyçe dhe muskuj, sëmundjet e zemrës, qarkullimit të gjakut, enët e gjakut, rraskapitjen e shkaktuar nga stresi, sëmundjen e lëkurës—përfshi puçrrat si dhe probleme me çehren, çrregullim të cikleve menstruale si dhe sëmundjen e afsheve sekëlldisëse (të grave në menopauzë) të organeve të frymëmarrjes, alergji të tilla si ajo nga bari si dhe sëmundje të tjera të syve.”

Për të testuar rezultat e agjërimit mbi trupat njerëzorë, Dr. Tenër (Tanner), një tjetër mjek, në moshën pesëdhjetë vjeçare vendosi të agjërojë për dyzet e tre ditë pa ushqim. Ai e bëri këtë nën një mbikëqyrje të rreptë mjekësore. Në përmbyllje të agjërimit, ai qe shumë më i shëndetshëm. Në moshën gjashtëdhjetë vjeçare, ai agjëroi pesëdhjetë ditë, dhe në mes të agjërimit tha se pa lavditë e patregueshme të Perëndisë. Në moshën shtatëdhjeteshtatë vjeçare, Dr. Tenëri agjëroi pesëdhjetë e tre ditë, dhe ndër gjërat e tjera që ndodhën, flokët e tij dikur të rrallë e të thinjur u zëvendësuan me flokë të rinj të zi! Qenë në të njëjtën ngjyrë me atë që kishin patur kur kishte qenë i ri. Për më tepër, Dr. Tenëri jetoi nëntëdhjetetre vjeç.

Agjërimi e ngadalëson procesin tënd të plakjes. Moisiu agjëroi shpesh, përfshi këtu dy agjërime dyzet ditore, dhe Bibla thotë tek “Ligji i Përtërirë” 34:7: “Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq; shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur.” Dr. Tenëri na la disa këshilla nga përvojat e veta: “Kur agjëroni, pini ujë me bollëk.” Uji është agjenti i madh shpëlarës në agjërim. Një prej shenjave që tregon se këto toksina dhe helme janë duke u eliminuar, mund të shikohet nga përqendrimi i toksinave në urinën tënde. Këto toksina mund të jenë dhjetë herë më të larta se normalisht kur ti agjëron. Urina bëhet më e errët për shkak se helmet dhe toksinat sëmundje- shkaktuese të kyçura në trupin tënd për shkak të dietave të tmerrshme, fillojnë të shpëlahen nga trupi.

Është e vërtetuar gjithashtu se agjërimi mpreh procesin tënd mendor si dhe ndihmon dhe përmirëson shikimin, dëgjimin, shijimin, prekjen, nuhatjen si dhe aftësitë ndijimore. Agjërimi thyen varësitë nga ushqimet pa vlera ushqimore. Agjërimi mund të thyejë fuqinë e një oreksi të pakontrollueshëm. Disa janë të lidhur nga nikotina, alkooli dhe drogat, por agjërimi mund të ndihmojë në thyerjen e këtyre varësive.

Çdo vit, unë i inkurajoj të gjithë pjesëtarët e Kapelës së Lirë që të bashkohen me ne në një agjërim njëzetenjë ditor. Nëse për njëzetenjë ditë ti mund të jesh një person i ri, atëherë përse të vazhdosh pjesën tjetër të jetës tënde duke u ndjerë i sëmuri, i dobët, mbipeshë dhe si i këputur? Përse të mos hedhësh një hap radikal besimi? Ne kemi vetëm një jetë për t’i dhënë Perëndisë—le të marrim kontrollin mbi trupat tanë dhe të rendim pas Perëndisë me sa të mundemi!

Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t`u ngrënë. . .

-- “Zanafilla” 3:6

Kapitulli 9

Hyrje

Përse është kaq e vështirë?

Mua vazhdon ende të më habisë fakti që ushqimi qe ndjellja që u përdor për t’i bërë Adamin dhe Evën të mëkatonin, gjë që çoi në rënien e njerëzimit. Mua më duket po aq interesant fakti që Jezusi e filloi shërbesën e Tij tokësore (për të na shpenguar nga mëkati), duke abstenuar nga ushqimi.

Përfytyroj se si për Gjon Pagëzorin qe diçka e jashtëzakonshme që të shikonte kushëririn e tij, Qengjin e Perëndisë, të zbriste në ujë për t’u pagëzuar, njëlloj si të gjithë të tjerët. Shumica e njerëzve të cilët u pagëzuan atë ditë, me shumë mundësi, më pas shkuan në shtëpi për të festuar me një banket të mirë, e duke folur rreth atyre gjërave që kishin parë e dëgjuar. Jezusi nuk veproi kështu. Ai ndoqi drejtimin e Frymës së Shenjtë, duke e nisur i vetëm shërbesën e Tij tokësore, duke agjëruar për dyzet ditë dhe net ndërkohë që tundohej në shkretëtirë (“Mat.” 3:16-4:11).

Gjëja e parë që Jezusi ndjeu në shërbesën e Tij tokësore për ty dhe për mua, qe uria. Gjëja e fundit që Ai ndjeu në këtë tokë, qe etja kur Zoti i lavdisë gjendej i gozhduar në një kryq mizor, (sipas “Gjoni” 19:28).

Kështu që pyetja ime është, përse trupi i Krishtit e ka kaq të vështirë disiplinën e agjërimit? Mungesa e kontrollit mbi mishin, hapi derën për tundimin nga mëkati në kopshtin e Edenit, por Jezusi mori kontrollin mbi trupin e Tij, duke e shenjtëruar Veten, për të thyer fuqinë e tundimit. Kur Jezusi agjëroi për dyzet ditë dhe net, Satani e tundoi duke i thënë: “thuaj që këta gurë të bëhen bukë” (“Mat.” 4:3). Armiku u përpoq në mënyrë të përsëritur që ta bënte Jezusin të përqendrohej në dëshirën për ushqim më shumë sesa në detyrën dhe qëllimet që i kishte dhënë Ati. Por Jezusi e dinte që shenjtërimi është një çelës thelbësor në hapjen e derës për bekimet e Perëndisë.

Nëse Jezusi kishte nevojë të agjëronte, sa më e madhe është atëherë nevoja jonë për të agjëruar? Unë isha tetëmbëdhjetë vjeç kur fillova agjërimin tim të parë të plotë njëzetenjë ditor. Ajo qe një nga gjërat më të vështira që kisha bërë ndonjëherë. Agjërimi nuk është kurrë diçka e lehtë. Sinqerisht, nuk di asgjë më të lodhshme sesa agjërimi. Jezusi e kupton vështirësinë e privimit të vetes nga ushqimi. Tek “Hebrenjve” 4:15 ne lexojmë: “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t`i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.” Ai gjithashtu siguron forcë për ne që ta mposhtim tundimin tek “Hebrenjve” 4:16. “Le t`i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.” Me këto premtime në mendje, procesi u bë më pak i pakëndshëm për mua.

Kur agjëron, ti abstenon nga ushqimi për shkak të qëllimeve frymëtore që ke. Kam dëgjuar njerëz të cilët thonë se po planifikonin të agjëronin nga TV, lojërat kompjuterike apo lundrimi në internet. Është mirë t’i ndërpresësh këto gjëra për ca kohë, me qëllim për t’u përqendruar, nëse ato po ndërhyjnë në jetën tënde të lutjes apo me studimin tënd të Fjalës së Perëndisë, apo shërbesës tënde ndaj nevojave të të tjerëve, por teknikisht, ky nuk është agjërim. Agjërim është të kalosh pa ushqime për një periudhë kohore, gjë e cila në përgjithësi të bën të largohesh nga gjurulldia e veprimtarisë së zakonshme. Një pjesë e sakrificës së agjërimit, kërkimit të Perëndinë, si dhe studimit të Fjalës së Tij, është që veprimtaria normale të zbehet në sfond.

Ka edhe arsye të gabuara për agjërimin. Agjërimi nuk duhet bërë për të kërkuar fitim meritash përpara Perëndisë, apo për të hequr mëkatet. Ka vetëm një gjë e cila mund të na japë meritë përpara Perëndisë si dhe të na pastrojë nga mëkati: gjaku i Jezusit. Megjithëkëtë, agjërimi do të fillojë të sjellë në sipërfaqe çfarëdo fushe kompromisi në jetën tënde, e ka për të të bërë më shumë të vetëdijshëm për mëkatet në jetën tënde, në mënyrë që ti të mund të pendohesh.

Agjërimi nuk është një dietë kristiane. Ti nuk duhet të agjërosh me qëllim që të biesh në peshë, paçka se rënia në peshë është një efekt anësor i natyrshëm. Nëse nuk bashkon lutjen me agjërimin tënd, atëherë nuk është nevoja të agjërosh. Të rrish pa ngrënë është thjesht të jesh në zi buke. Kur agjëron, personi përqendrohet tek lutja dhe tek Fjala e Perëndisë.

Së fundi, ti nuk agjëron që t’u bësh përshtypje të tjerëve. Agjërimi nuk është një mundësi për t’u treguar të tjerëve se sa thellësisht shpirtëror je, por është një mundësi për t’u përqendruar tek nevojat e të tjerëve. Lëvizja botërore e urisë, ka një program të quajtur “Lëre të kërcasë”, një uri botërore dhe një agjërim për të rritur ndërgjegjësimin. Gjatë këtij agjërimi, kur pjesëmarrësit ndjejnë dhimbjet e urisë që u ngrihen, stomaku i tyre fillon të kërcasë, ata kujtojnë një të tretën e njerëzve në këtë botë të cilët bien të flenë me po atë ndjesi çdo natë, për shkak se nuk kanë ushqim.

Në kohën kur unë po shkruaj këtë, kam shërbyer tashmë prej tetëmbëdhjetë vjetësh si pastor tek Kapela e Lirë. Për shumicën e asaj kohe, kam agjëruar privatisht për njëzetenjë ditë në fillim të çdo viti, por rreth shtatë vjet më parë, Fryma e Shenjtë më drejtoi që t’i kërkoja kishës që të bashkohej në atë agjërim. Perëndia na ka bekuar në më shumë mënyra nga ç’mund të kisha përfytyruar ndonjëherë.

Unë po ecja dje në aeroport, dhe një burrë më ndaloi dhe më tha: “Unë e di se kush je ti. Unë jam një nga ata njerëzit që agjëruan me kishën tënde vjet.” Kur ti hyn në një agjërim në fillim të vitit me trupin e Krishtit, ti lidhesh me mijëra njerëz nga mbarë bota të cilët e fillojnë gjithashtu Vitin e Ri me një agjërim. Një person në agjërim, është i fuqishëm, por kur një grup njerëzish fillojnë të agjërojnë, kësaj i thonë forcë e shumëfishuar! Është fuqi e shumëfishuar!

Dr. Deivid Jongi Ço (David Yonggi Cho”, është pastori i kishës më të madhe në botë, në Seul të Koresë së Jugut. Shtatëqindepesëdhjetë mijë pjesëtarë futen në një agjërim njëzetenjë ditor çdo vit. Ai ka njëmijepesëqind adoleshentë në kampingje në Malin e Lutjes, të cilët rrinë në tenda për të agjëruar dhe për t’u lutur për shtatë ditë çdo vit.

Nëse beson se të krishterët nuk janë supozuar të agjërojnë, je mashtruar. Perëndia pret prej secilit prej nesh që të agjërojë—jo vetëm prej disave prej nesh. Tek “Mateu” kapitulli 6, Ai tregon tre gjëra të cilat bëjnë të krishterët: “Kur lutesh . . .” “Kur jep . . .” dhe “Kur agjëron.” Ai nuk tha “nëse” por tha “kur.” Nëse ti ke një kohë për t’u lutur e një kohë për të dhënë, atëherë duhet të kesh edhe një kohë për të agjëruar.

Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?". . . Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.

--“Mateu” 6:31-33

Arsye përse të mos agjërosh mund të gjesh gjithnjë, kështu që duhet ta ndash mendjen që ta bësh atë, dhe çdo gjë tjetër do të kujdeset vetë për veten. Nëse do të vendosësh që të caktosh mënjanë ditët e para të vitit për të agjëruar, do të caktosh asisoj kursin e të gjithë vitit që ke përpara. Ashtu siç ti cakton kursin e ditës tënde duke u takuar me Perëndinë në orët e para, e njëjta gjë vlen për dedikimin e ditëve të para të vitit për agjërimin.

Pjesa e parë e këtij libri, titullohet “Disiplina private e cila sjell shpërblim publik.” “Shpërblimet” që kanë dalë në sipërfaqe në jetën e atyre që marrin pjesë tek Kapela e Lirë për më shumë se pesë vitet e kaluara, kanë qenë fenomenale. Në këtë pjesë të dytë, do të ndaj me ju disa prej mësimeve më të thella të cilat Zoti më ka dhënë rreth agjërimit, ndërkohë që ne kemi vazhduar ta kërkojmë Atë në këtë mënyrë, dhe unë do t’ju inkurajoj me disa prej dëshmive të madhërishme të besnikërisë së Perëndisë ndaj Fjalës së Tij.