“Hebrenjve” 11:32-40 ― Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët, të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja. Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë. Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime. U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhensh e dhish, nevojtarë, të pikëlluar, të keqtrajtuar (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut. E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar, sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.

Besimi nganjëherë duket mistik, kur dëgjojmë rreth Moisiut dhe shkurres që digjej apo izraelitëve në Detin e Kuq. Herë të tjera duket si tepër i vështirë për t’u kuptuar nga mendja jonë, siç ishte rasti kur i tërë Egjipti u godit me fatkeqësi për shkak të zemrës së bërë kallo të drejtuesit të tij. Besimi duket se na bën sforco kur i shikojmë gjërat si Abrahami i cili po luftonte betejat për ta mbajtur të sigurt familjen e vet. Përmes sprovash, presionesh dhe pengesash në dukje të pamundura për t’u kaluar, ne shikojmë që Perëndia gjithnjë arriti t’ia dilte.

Ne mësojmë nga historia e njerëzimit me Perëndinë, që besimi i vërtetë nuk ka frikë t’i përvishet punës. Besimi i vërtetë përballet me Goliat kur ata vijnë në jetën tonë. Besimi i vërtetë flet kundër të keqes dhe jep hir ndaj të penduarit. Besimi i vërtetë ndërton disiplinën e jetës së vështirë, dhe punon për të përmirësuar të metat e karakterit të dobët.

Besim nuk është të ulesh në një vend të sigurt duke pritur që Perëndia të dërgojë bekimet e Tij. Ai del në llogoret e jetës. Besimi i vërtetë është lëvizje dhe aksion. Ai del në të panjohurën për shkak se Perëndia është duke drejtuar në atë vend dhe merr një bekim më të madh nga ç’mund të imagjinohet. Ai merr betejën shpirtërore, duke ditur se disa do të shpëtohen dhe se armiku do të detyrohet t’ia mbathë. Besimi kapërcen stuhitë më të forta të jetës, duke e ditur që Perëndia shkon me ne.

Ne i kërkojmë Perëndisë që të na përdorë për të kryer vullnetin e Tij, dhe pastaj, kur Ai na drejton në Luginën e Hijes së Vdekjes, ne ndryshojmë mendje. Besimi i vërtetë vërtetohet vetëm në aso luginash. Duhet shumë pak besim për të jetuar në rehat, shëndet dhe bekime. Besimi hedh hapa në luginë dhe gërmon me duart e veta për të punuar. Mund të jetë një punë e vështirë, e pisët dhe zemër-thyese, por besimi e merr gjithsesi përsipër sfidën. Shumë shpesh, besimi nuk e shikon rezultatin e përpjekjeve të tij nga kjo anë e përjetësisë.

Nganjëherë, ne do të bekoheshim po të shikonim rezultatet e veprave tona të besimit. Shumë shpesh, ne nuk jemi të vetëdijshëm për ndikimin që ushtron jeta jonë, derisa të jemi ballë për ballë me praninë e Perëndisë, e megjithëkëtë, besimi gjithsesi funksionon. Besimi i mban sytë e tij të ngulitur në përjetësi, dhe duart në punë në të tashmen.