“Hebrenjve” 11:7 ― Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.

Besimi sjell në jetën tonë aftësinë për të menduar të pamendueshmen. Le të mendojmë pak për një njeri të quajtur Noa. Ai jetoi ndër një popull i cili nuk kishte dëshirë për të patur një marrëdhënie me Perëndinë. Ata ishin madje edhe më pak të preokupuar për të jetuar një jetë të pastër nga ana morale. Betimet martesore nuk kishin aspak kuptim për ta. Ata nuk mendonin aspak për nevojat e tyre shpirtërore ngaqë ishin përfshirë kaq shumë në kënaqësitë e mishit. Në mes të kësaj atmosfere, Noa qe i vendosur për të jetuar një jetë shpirtërore si dhe moralisht të pastër.

Perëndia i foli Noas një ditë dhe i tha që të bënte një gjë të pabesueshme. Ai i tha Noas që të ndërtonte një arkë, e cila ishte një anije mjaft e madhe. Perëndia e përshkroi mënyrën se si do t’i jepte botës një shans tjetër. Ai tregoi për përmbytjen që po vinte, të cilën, me që ra fjala, Noa nuk kishte nga ta merrte me mend. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më përpara; Noas iu dhanë udhëzime për madhësinë e arkës si dhe për materialet e nevojshme. Kjo varkë do kishte përmasat e një aeroplanmbajtëse të vogël.

Noa qe i gatshëm të mendonte të paimagjinueshmen, duke besuar se tek fjala e Perëndisë mund të mbështeteshe tërësisht. Ai veproi bazuar mbi besimin e tij dhe filloi të merrej me arkën. Ky qe një projekt jashtëzakonisht i madh e që po zinte një pjesë të madhe toke. Atij iu desh të priste pemë e t’i sharronte ato në madhësinë që i duhej. Atij iu desh të ndërtonte një kantier sharrash dhe një punishte druri. Atij i duhej të magazinonte drutë, t’i linte të stazhonoheshin, t’i priste, t’i jepte madhësi dhe formë të tërë këtij projekti gjigant. Atij i duhej të ndërtonte një vend në të cilin të mund të përzinte katranin i cili do ta bënte të padepërtueshme nga uji këtë vepër besimi. Shpesh herë ne dëshirojmë që Perëndia të ndërtojë arkën për ne. Ai na kërkon të ndërtojmë vetë arkat në jetë; ato janë veprimet tona të besimit. Ai premton fitore në fund të bindjes tonë.

Vit pas viti, Noa punoi duke u përballur gjithnjë me përqeshjen e fqinjëve të tij. Ata duhet të kenë menduar se ai qe çmendur. Noas mund t’i kishte mbetur hatri, por përkundrazi, ai kaloi kohë duke folur me fqinjët e tij rreth mundësisë së tyre për t’u shpëtuar. Ai qe i gatshëm për të menduar të pamendueshmen dhe mori të pabesueshmen. Nëse jemi të gatshëm për të menduar të pamendueshmen dhe të veprojmë bazuar tek ajo kur Perëndia na flet, ne do të marrim bekimet e mrekullueshme që Ai ka ruajtur për ne në të ardhmen.