“Hebrenjve” 11:8-11 ―Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte. Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim, sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia. Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.

Të gjithë kanë besim në diçka. Pjesa më e madhe prej nesh, futen në ashensor dhe kanë besim tek kjo pajisje e krijuar nga njeriu, se do t’i ngrejë lart mbi tokë. Ne kalojmë nëpër ura me kilometra të gjata të ndërtuara nga njerëzit. Ne udhëtojmë nëpër anije të bëra nga njerëzit dhe fluturojmë me tuba të zgavruar 20 tonësh që i quajmë aeroplanë. Ne përdorim çdo ditë besimin. Unë nuk e di nëse do ta arrij destinacionin tim, por ulem në vendin tim në aeroplan, dhe besoj se do t’ia dal.

Duke qenë se ne besojmë kaq shumë tek vepra e njeriut, sa më shumë duhet t’i besojmë veprave të Perëndisë. Besimi tek Perëndia është besimi më i qëndrueshëm që ne mund të kemi. Ai është një besim i ndërtuar mbi një shkëmb solid, mbi një Perëndi të patundshëm, të palëvizshëm e të gjithëditur. Besimi e vë Perëndinë mes nesh dhe rrethanave tona. Ne mund ta shikojmë nga jashtë situatën ku jemi, por gjithashtu e dimë që Perëndia është duke punuar nga brenda saj. Ai shikon problemet e vështira të të kaluarës e të të tashmes si mundësi për të ardhmen.

Besimi krijon një vizion për të ardhmen. Hellen Kellëra (Helen Keller) u pyet nëse kishte ndonjë gjë më të keqe se të lindte e verbër. Ajo u përgjigj: Po, do të ishe shumë më keq të lindje me shikim por të mos kishe vizion. Ka shumë njerëz që e kanë të vështirë për sa kohë mbeten të përqendruar tek rrethanat e kaluara si dhe tek ato të tashme. Frika si dhe mungesa e vizionit i kanë bërë ato të jetojnë në një kuti muresh 2 x 4 në një kohë kur Perëndia i krijoi ata me mundësi të panumërta. Ne duhet të shikojmë përtej të tëra kufizimeve njerëzore dhe të shikojmë mundësitë në to. Besimi na ndihmon të shikojmë të padukshmen. Unë pres që ura tjetër në të cilën do të kaloj, ta mbajë kamionin tim, por për më tepër, pres që premtimet e Perëndisë të mbeten të vërteta. Nuk do të futesha në ashensorin tjetër që do të hasja po të mendoja se ai do të binte, por sa më tepër i besoj Perëndisë i Cili kurrë nuk ka për të më lënë në baltë. Të enjten do të marr avionin nga Orlando (SHBA) dhe besoj se do të arrijmë shëndoshë e mirë në Neshvill, por sa më tepër besoj që Perëndia i Cili shkon me ne, ka një plan më të mirë sesa ky i imi. Unë refuzoj të jetoj me frikë, sepse kam gjetur liri në besim. Unë nuk do të bëj ndonjë marrëzi e të hidhem prej ndonjë gradaçieli me apo pa parashutë, por do të përfshihem në jetë me besimin që më tregon se Perëndia udhëzon, mbron, dhe që kur Ai është gati, më thërret në shtëpi ku besimi im do të ketë shikim të përsosur.