“Mateu” 19:26 ―Jezusi duke përqendruar shikimin mbi ata tha: ``Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur``..

Tek: Perëndia nuk më ka lënë kurrë në baltë, por padyshim që më ka trembur për vdekje ca herë (God has never failed me, but He‘s sure scared me to death a few times), Sten Toller (Stan Toler) parashtron hapa për ndërtimin e besimit. Do të përpiqem që ato t’i parafrazoj në mënyrë që t’i përshtaten kohës të cilën ne kalojmë së bashku. Fjala besim dhe besoj, përdoren 485 herë në Shkrim. Është e dukshme që Perëndia dëshiron që besimi të jetë një zgjedhje e domosdoshme e mënyrës së jetës. Megjithëkëtë, ai (besimi) nuk vjen në mënyrë të natyrshme për pjesën më të madhe të njerëzve, ai duhet të themelohet si dhe të ndërtohet.

Hapi i parë në ndërtimin e besimit, është të kalojmë kohë në gjetjen e studimin e premtimeve të Perëndisë. Ato që Perëndia premton, realizohen e do të na japin diçka tek e cila të mbahemi edhe në mes kohësh të vështira. Është pak a shumë si të humbësh në një mjegull në të cilën nuk mund të shikosh as tre metra përpara. Ti nxjerr busullën dhe duke i besuar këtij aparati, e gjen rrugën për në shtëpi. Premtimi i Perëndisë të jep drejtimin e duhur kur ne nuk arrijmë të shikojmë për shkak të mjegullës së rrethanave të cilat na rrethojnë.

Hapi i dytë, është që të jemi të bindur me çdo kusht. Emocioneve tona nuk u zihet besë e mund të na çojnë në drejtim të gabuar. Bindja ndaj fjalës së Perëndisë çon gjithnjë në bekimin e Perëndisë. Xhon Uesli (John Wesley) dikur tha: Perëndia ka caktuar besimin për të kompensuar mangësitë shqisore, për të na përkrahur atëherë kur shqisat na kanë lënë, e të na ndihmojnë të kalojmë hendekun.

Një hap tjetër është që të kalojmë kohë me njerëzit të cilët kanë mësuar që të jetojnë përmes besimit. Kërkoni për ata të cilët kanë zhvilluar qëndrime pozitive në mes rrethanash të vështira. Shko përkrah atyre të cilët në mes të mjegullës, kanë mësuar që të përdorin busullën e tyre frymërore të Shkrimit, për të qëndruar të palëkundur e në drejtim të duhur në ecjen e tyre. Hapi i katërt është të kërkojmë dhuratën e besimit me lutje. Kërkoji Perëndisë për besim, kërko dhe dëshiro që ajo të jetë pjesë e ecjes tënde shpirtërore. Shkrimi na mëson që mjafton një farë sinapi besimi për të lëvizur malet. Kërkoji Perëndisë që të të japë po aq besim sa edhe shërbesa që ju dëshironi do të dojë, e pastaj përdore atë.

Hapi pestë përfshin një proces ndërtimi besimi nga leximi i historisë. Lexo për udhëtimet shpirtërore të heronjve tanë shpirtërorë. Zbulo atë që ata gjetën në një marrëdhënie të thellë me Perëndinë.

―Besimi është si një radar i cili shikon edhe përmes mjegullës, realitetin e gjërave që janë larg e të cilat syri njerëzor nuk arrin t’i shikojë.

Kori Ten Bum (Corrie Ten Boom)

Hapi i fundit në jetesën me besim, është të presësh rezultate. Perëndia është një Perëndi që i përgjigjet lutjeve. Ai dëshiron të na ofrojë mundësi që të shikojmë mrekulli. Ai dëshiron që të bëjë për ne, ato gjëra të cilat ne nuk mund t’i bëjmë për veten. Ndërtimi i besimit vjen nga praktikimi i besimit dhe i të besuarit tek Perëndia për mrekulli. A nuk të entuziazmon me të vërtetë ajo lloj jete?!