“Mateu” 8:23-27 ―Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin. Dhe ja që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ``O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!`` Por ai u tha atyre: ``Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?``. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe. Atëherë njerëzit u mrekulluan dhe thoshnin: ``Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?``.

A ka qenë gjithçka në jetën tënde duke shkuar shkëlqyeshëm dhe krejt papritur, sa hap e mbyll sytë, jeta jote u plandos na kaos? Duket sikur dikush fiku të tërë dritën shpirtërore që vetëm pak më parë shkëlqente shndritshëm. Pyetjet vërshuan në mendjen tënde. Çfarë ndodhi? Përse? Si do të dal nga kjo mjegull? Tek kush mund të përplasem që të më kuptojë? Çfarë do të mendojnë njerëzit?

Këto pyetje na tundojnë që të shkojmë drejt mosbesimit. Mosbesimi nuk na lejon të shikojmë të tëra ato që ne përfitojmë në Krishtin. Ne mund të jemi duke përjetuar gjërat e shkëlqyeshme që Perëndia ka për ne, dhe në një çast të humbasim bekimet që sollën gëzim dhe paqe. Sfida për besimtarët është të vazhdojmë të mbetemi të përqendruar kur jeta na godet me këto pështjellime. Si do mundemi të qëndrojmë të fortë kur jeta është kaq e errët sa nuk mund të shikojmë as këmbët tona jo më tokën mbi të cilën qëndrojmë?

E fshehta për qëndrimin të patundur në kohë të vështira, është që të mësojmë gjithçka mundemi rreth Perëndisë kur kohët janë më të lehta. Kurrë mos i merr si të mirëqena ditët kur mëngjes pas mëngjesi vijnë bekimet e reja. Pikërisht në ato ditë ne mësojmë premtimet e mëdha të Shkrimit. Kjo është koha për të qenë në gjendje që në mënyrë racionale të shikojmë se si Perëndia ka punuar në jetën e njerëzve qoftë në të kaluarën, qoftë në të tashmen. Kjo na siguron mundësinë për të bërë një plan veprimi për kohët e vështira. Ne mund të marrim ca zotime të cilat i tejkalojnë rrethanat e jetës. Nëse ne presim për të mësuar, për t’u rritur dhe për t’u zotuar derisa jeta na plandos në një stuhi, ne mund të mos e kemi forcën për ta bërë këtë. Është ajo që ne mësojmë në ditët e bekimit në jetë që vlen edhe kur jeta na “fik dritat”.

Ne nuk duhet të shpërfillim momentin që kemi tani. Na duhet mundësia e tanishme për t’u përgatitur për atë që momenti tjetër mund të na sjellë. Ne nuk jemi të destinuar për t’u mbytur në një det mosbesimi. Nëse gjërat po shkojnë shkëlqyeshëm, mëso dhe rritu sa të mundesh. Nëse gjërat janë të vështira, mbahu fort, Perëndia nuk të lë kurrë në baltë, e Ai nuk fle, por të shikon edhe pikërisht tani.

Unë mund të mos e arrij të nesërmen, garanci me shkrim për këtë nuk kam. 
Dhe gjërat të cilat ndodhën dje, të të shkuarës tashmë jan’. 
Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, as të shkuarën dot s’e ndryshoj. 
Kam vetëm momentin e tanishëm; si të fundit duhet ta trajtoj. 
Duhet ta përdor këtë moment me mençuri sepse shpejt ai do të ketë kaluar 
Dhe ka për të më humbur përgjithnjë si pjesë e të djeshmes së shpenzuar. 
Unë duhet të tregoj dhembshuri, të rënët në këmbë të ngrihen të ndihmoj, 
Të jem një mik për ata që nuk kanë miq, jetën boshe ta plotësoj.
Duhet ta bëj të çmuar këtë moment, sepse nuk ka për t’u përsëritur më. 
S’do mund të kënaqem dot kurrë me ato që mund të kishin, por s’ndodhën dot në të. 
Fjalët e mira që nuk arrij t’i them sot, pa thënë përherë mund të mbeten, 
Bëhu një mik me ata që s’kanë miq, plotësoje jetën e zbrazur tënden. 
Unë mund të mos e arrij kurrë të nesërmen, por është i imi ky moment. 
Është i imi që ta përdor apo ta lë mënjanë; zgjedhja është e imja vet’. 
Në dritën e sotme të diellit kam vetëm këtë moment për të vepruar,
Tani që muzgu i të djeshmes me shkëlqimin e agimit të të nesërmes janë bashkuar.

-Anonime