“Hebrenjve” 11:29-34 ―Me anë të besimit kaluan nëpër Detin e Kuq si të ishte tokë e thatë, ndërsa kur egjiptasit u përpoqën ta bëjnë, u mbytën. Me anë të besimit ranë muret e Jerihos, pasi u suallën rreth tyre shtatë ditë. Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit. Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët, të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve, fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.

Besimi beson se Perëndia mundet, për mua! Unë nuk e kam problem të besoj që Perëndia ia mbylli gojën luanëve për Danielin, apo që e ndihmoi Davidin të vriste Golian. Jam i bindur që Eliseu u lut dhe vaji i vejushës u shtua, që të verbërve iu kthye shikimi, që të çalët ecën e që Jezusi qetësoi detin e tërbuar. Nuk e kam të vështirë të besoj që Perëndia do të bëjë gjithçka për të tjerët, por nganjëherë dyshoj që Ai do t’i bënte ato gjëra për mua. Përse jemi kësisoj?

Jam i bindur që ndjehemi kësisoj pasi ne jetojmë në një botë ku vlera e personit matet nga se sa para ka, nga prejardhja, marrëdhëniet me të tjerët apo dhuntitë që zotëron. Ne mund ta shikojmë veten si jo të denjë pasi nuk jemi pjesë e grupit të brendshëm. Ndoshta ne nuk kemi bërë vepra të mjaftueshme të mira aq sa Perëndisë t’i bien në sy, kështu që dyshojmë tek gatishmëria e Tij për të bekuar. Besimi lëkundet çdo herë që ne e vendosim Perëndinë në të njëjtin nivel mendimi që kemi në lidhje me njerëzit. Nëse Perëndia do të ishte si njerëzit, ne do ta vinim Atë në pikëpyetje, por Ai është Perëndi dhe thirrja është që njerëzimi të jetë si Ai, e kurrë që Ai të jetë si ne.

Ne duhet të kuptojmë që Perëndia na shikon ndryshe nga ç’na shikon kjo botë. Ai na do në mënyrë të pakushtëzuar, gjë që e lejon Atë që të bekojë apo gjykojë secilin individ, pa paragjykim apo anshmëri. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për të fituar dashurinë e Perëndisë, e gjithashtu nuk mund të bëjmë asgjë për të mos e lejuar Atë të na dojë. Ai na do në mënyrë absolute edhe pikërisht në këtë minutë. Nuk ka rëndësi se sa i keq apo i mirë je. Ai na do në mënyrë absolute. Perëndia e vërtetoi dashurinë e Tij duke na dërguar Birin e Tij në mënyrë që ASKUSH të mos humbasë, por që të TËRË të vijnë në pendesë. Kjo dashuri vlen për të gjithë, askush nuk është lënë mënjanë.

Kjo nuk do të thotë që ne mund të jetojmë kundër asaj dashurie e të mos gjykohemi për këtë. Drejtësia e përsosur e Perëndisë e bën Atë të jetë Gjykatësi i të keqes kur ne kemi refuzuar flijimin e Tij shlyes. Jam i bindur që ndërkohë që kuptojmë se si Perëndia na ka dashur, jeta jonë ka për të ndryshuar. Ne do të jemi në gjendje që të besojmë që Ai interesohet për ne po aq shumë sa ç’u interesua edhe për Danielin, Eliseun, Davidin si dhe për të verbrin, gruan e kapur në kurorëshkelje, si dhe për ata që i zuri një stuhi aq e furishme saqë patën frikë deri për jetën e tyre. Besim është të besosh se Perëndia mundet të veprojë për mua. Çfarë kemi nevojë që Perëndia të bëjë për ne? Çfarë ka në jetën tonë që na kaplon? Çfarë ka në jetën tënde ku pa ndihmën e Perëndisë, ti do të dështoje në mënyrë mizerabël? Nëse do mund të identifikojmë një prej këtyre gjërave, atëherë jemi një kandidat për dashurinë mrekulli-bërëse të Perëndisë. Kupto që çdo individ është objekt i dhembshurisë së Perëndisë.