“Psalmi” 31:1-3 ― Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde. Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh. Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

Doktori qe në sallën e operacionit duke punuar me përqendrim për të ndihmuar një pacient, kur bisturia i ra nga dora në dysheme. Në çast doktori u zgjat, mori një bisturi tjetër të sterilizuar që ishte aty rezervë. Doktori qe pajisur me më shumë se një instrument kirurgjik, të pastër, të sterilizuar, e të disponueshëm në çast. Këto instrumente të pastra ishin gati e të disponueshme për t’u përdorur kurdoherë që doktori do ta gjykonte të arsyeshme.

Kjo është një lutje e rrezikshme për t’ia drejtuar Perëndisë. Kjo do të thotë se ne e pranojmë përgjegjësinë tonë për të qenë të pastër e të pastruar, në mënyrë që Perëndia të mund të na përdorë edhe thjesht pak çaste pasi të na lajmërojë. Kjo lutje vjen me një përkushtim të thellë personal. Kjo lutje e rrezikshme thotë: Perëndi më drejto që të bëhem personi i cili unë kam mundësi për të qenë dhe më udhëhiq në atë që Ti dëshiron që unë të bëj. Kjo lutje më shtyu që të jetoj në pesë shtete të ndryshme (të SHBA-së), nga Kolorado ku ndoqa kolegjin biblik, deri në Florida ku jam tani pastor.

Kjo lutje për disa nuk do të nënkuptojë kurrë se ata lëvizin nga vendi ku qenë rritur, për të tjerë do të thotë që të ngrihen e të shkojnë në një vend tjetër. Disave do t’u kërkohet të predikojnë; të tjerët të japin mësim, e të tjerë akoma, të kujdesen për pronat e Kishës. Lutja: Më drejto i nënshtrohet vullnetit sovran të Perëndisë. Ne pranojmë porosinë që Perëndia ka për ne personalisht. Ky udhëtim shpirtëror bëhet shumë personal dhe për rrjedhojë i bën ballë tundimin për të patur zili të tjerët. Zilia vjen nga dëshira për të dashur pozitën apo pronat e dikujt tjetër. Kur ne përkushtohemi për të ndjekur Perëndinë, ne vendosim të jemi të kënaqur me atë gjë në të cilën Perëndia po na drejton.

Ne humbasim mundësinë për të qenë të drejtuar nga Perëndia kur nuk jemi të përgatitur shpirtërisht për t’u përdorur prej Tij. Ashtu sikurse doktorët duhet të jenë në gjendje që të zgjasin dorën e të përdorin një instrument të pastër, po kështu sa më shumë edhe Perëndia ka nevojë për besimtarë të pastër. Mëkatshmëria mund të mos e lejojë Atë të jetë i gatshëm për të na drejtojë në mundësitë tona më të mira për shërbesë. Lajmi i mirë është që Perëndia mund të marrë mjete pune të pista e t’i pastrojë ato. Nëse do të përkushtohemi për pastërti personale shpirtërore, atëherë do mund të jemi një mjet i gatshëm pune të cilin Perëndia mund ta përdorë kurdo dhe kudo që Ai na drejton. Perëndia mund të të mos kërkojë kurrë që të dalësh jashtë komunitetit tënd, por Ai mund të të kërkojë t’i japësh mësim fëmijëve, adoleshentëve apo të rriturve. Ai mund t’ju kërkojë që të gërmoni një kanal, të ndërroni llambat apo që të merreni me foninë. Ai mund t’ju kërkojë të ungjillëzoni apo dishepullizoni një të krishterë të ri. Çështja është se kur ne drejtohemi nga Perëndia, ne shkojmë atje ku Ai dëshiron dhe kënaqemi me këtë gjë. Ne e marrim me besim se vullneti i Tij është më i mirë sesa edhe planet tona më të mira. A guxojmë ne ta bëjmë një lutje të tillë të rrezikshme siç është ajo: më drejto?