“Psalmi” 51:15-17 ―O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd. Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti. Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.

―Zot, unë e di që rritja e re shpirtërore vjen kur zakonet e këqija, qëndrimet jo të shëndetshme dhe të menduarit në mënyrë të gabuar, thyhen në jetën time. Unë të kërkoj që të thyhem në ato vende që do të më ndihmojnë të shërbej më mirë. Kjo është një lutje e rrezikshme dhe e dhimbshme. Thyerja është gjithnjë e dhimbshme. Është gjithashtu gjithnjë e dobishme që Perëndia të na thyejë. Ati ynë qiellor i di ku janë vendet më të mira për të sjellë thyerje në jetën tonë.

Ka një ndryshim të madh mes të qenurit i thyer nga Perëndia si dhe thyerjes prej të tjerë faktorësh. Futja në një borxh të madh, mund të sjellë disa vështirësi reale vetjake, por këto janë të shkaktuara nga vetja, e jo prej Perëndisë. Kur nuk e mbajmë trupin në formë, do të ketë vështirësi fizike por edhe kjo nuk është nga Perëndia. Të qenurit i refuzuar për shkak se qëndrimi ynë është negativ dhe krenar, do të sjellë thyerje, po as kjo nuk është nga Perëndia.

Thyerja që vjen nga Perëndia ka gjithnjë një domethënie shpirtërore. Qëllimi i saj është të na përulë përpara Zotit tonë e të krijojë brenda nesh një gatishmëri për të qenë shërbëtorë besnikë. Shpesh herë thyerja që Perëndia sjell tek ne, duket se nuk ka origjinë nga diçka apo arsye e cila mund të shpjegohet. Ajo vjen në kohën dhe me mençurinë e Vetë Perëndisë. Ai e di se kur dhe çfarë kemi ne nevojë. Ajo mund të vijë në një kohë kur rrethanat duken të mrekullueshme e kur nuk ka arsye të dukshme që të të bëjnë të mendosh se po kalojmë nëpër një prej atyre kohërave rafinuese. Herë të tjera, rrethanat e vështira të jashtme do të përdoren për të na mësuar mësime të brendshme shpirtërore.

Ne nuk flasim shumë për të qenurit të thyer, për shkak se kjo gjë përmban një përbërës mistik. Qëndrimi i thyer shpirtëror është një gjë e Perëndisë. Ajo vjen në jetën tonë për të krijuar brenda nesh një cilësi shpirtërore të cilën ne e kemi të nevojshme. Ajo vjen dhe ikën sipas asaj që Perëndia ka caktuar si dhe vullnetit të Tij. Ajo nuk ka një ritëm apo pamje tokësore. Vlera e të qenurit i thyer, është e përjetshme dhe më e çmuar sesa pasuria e kësaj bote. Ajo është e dhimbshme pasi na ndryshon përmes trysnisë së rrethanave. Çdo rast kthehet në një shteg për një zhvillim të ndjeshëm shpirtëror. Ne mund t’i ndajmë përvojat tona të të qenurit të thyer, por mësimet që nxirren janë shumë personale dhe individuale.