“Psalmi” 51:1-3, 9-10 ―Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im, sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia. O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

Një lutje vërtetë e rrezikshme është kur i kërkojmë Perëndisë që të na pastrojë. Mbreti David kishte gabuar rëndë. Davidi kishte kryer kurorëshkelje, kishte vrarë dikë, dhe kishte dëmtuar reputacionin e vet si një njeri me integritet. Ai kishte mashtruar veten duke besuar se ishte në rregull. Por nuk ka asnjë post apo segment sado i gjatë kohor që të largojë mëkatin e pa rrëfyer. Davidi duhet të kuptonte se nuk qe në gjendje që ta largonte veten nga nevoja që kishte, vetëm Perëndia mund ta bënte këtë. Kur ai u kthye tek Perëndia dhe kërkoi për pastrim, e gjeti Perëndinë të gatshëm për ta ndihmuar.

Lutja: më pastro, fillon me një gatishmëri për të rrëfyer çfarëdo mëkati apo qëndrimi i cili nuk është i shenjtë. Është e pamundur që të shpërfillim padrejtësinë tonë e që të lutemi në mënyrë të sinqertë për pastrim. Padrejtësia është objekti i pastrimit prej Perëndisë. Kjo lutje shkon përtej një gatishmërie për të përmirësuar Adamin e vjetër, ai dëshiron ta lejojë Perëndinë që të kërkojë në çdo dhomë, në çdo skutë të jetës tonë.

Kur Davidi i kërkoi Perëndisë që ta lante tërësisht nga paudhësia, ai nuk po kursente asgjë nga ky pastrim. Pastrimi vjen kur ne nuk përpiqemi që të mashtrojmë veten duke besuar se Zoti ynë nuk mund ta shikojë mëkatin tonë. E vetmja mënyrë se si Ai nuk e shikon mëkatin tonë, është kur ato na falen prej Tij. Falja ndodh vetëm si pjesë e rrëfimit dhe pendesës. Në rrëfim ne pranojmë mëkatin, pendesa na largon nga mëkati dhe Perëndia, me fuqinë e Tij pastruese, na mundëson të pastrohemi nga mëkati.

Përse është kjo një lutje kaq e rrezikshme? Është e rrezikshme sepse na duhet të jemi tërësisht të hapur, pa kursyer asgjë. Na duhet të pranojmë sjellje dhe qëndrime të gabuara. Na duhet të pranojmë prirjet tona për të bërë të keqen. Ne duhet të pendohemi (të largohemi) nga gjërat në jetën tonë, të cilat largojnë prej nesh një bindje absolute dhe të vazhdueshme. Ne nuk mund t’i mbajmë pjesë të jetës tonë larg Perëndisë, ajo është e tëra e Tija e kjo pa asnjë rezervë.

Çelësi është që nga pastrimi vjen një frymë e patundur. Fokusi i pastrimit tonë është aftësia për të qëndruar të fortë nga ana shpirtërore, edhe në rrethana të vështira. Një frymë e patundur e mban të palëkundur besimin tonë, edhe kur bota përreth nesh është e pakuptimtë. Një frymë e patundur, mund të na mbajë të patundur përgjatë gjithë kësaj jete e deri në përjetësi. Guxo t’i kërkosh Perëndisë një pastrim tërësor.