“Luka” 22:39-42 ― Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin. Kur arriti në vend, u tha atyre: “Lutuni që të mos hyni në tundim”. Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunjë dhe lutej, duke thënë: ``O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti``.

Situatë më stresante se ajo që Jezusi përjetoi ndërkohë që lutej në kopsht, unë nuk di. Ai qe vetëm pak orë larg nga vdekja në një mënyrë të tmerrshme. Ai po përballej me një trajtim të padrejtë për shkak të akuzash të pabazuara. Ai e dinte se ç’e priste dhe qe i gatshëm t’i nënshtrohej për të mirën tënde e timen. Niveli i stresit nuk qe më i ulët thjesht për faktin që ajo që Ai po bënte, qe gjë e mirë.

Jezusi e kishte të nevojshme kohën e kaluar në kopsht duke u lutur, për t’u përgatitur për momentin më stresant të jetës. Nëse Jezusi e kishte të nevojshme atë kohë, sa më tepër të nevojshme e kemi ti dhe unë. Betejat shpirtërore të jetës, luftohen të rënë në gjunjë në kopshtin e lutjes. Djalli nuk ka për të lënë gjë pa bërë që të mos na lërë të lutemi. Lutja do të të lejojë të shikosh më qartë çështjet problematike të jetës.

Lutja na jep mundësinë për të qenë të sinqertë. Disa prej rrethanave të vështira në të cilat njerëzit e gjejnë veten, janë të atilla që i kanë krijuar vetë. Perëndia na jep mundësinë që të dalim të pastër për sa i takon sjelljes, qëndrimeve, ndjenjave dhe çfarëdo gjëje tjetër të cilën ne dëshirojmë ta ndajmë. Nëse kjo mesele në të cilën gjendesh është diçka që e ke krijuar vetë, ti duhet të merresh me mënyrën tënde të sjelljes. Perëndia rrallëherë e bekon personin që nxjerr justifikime në vend që të marrë përsipër përgjegjësinë. Përderisa je ti ai që përcakton qëndrimin tënd, Perëndia mundet që vetëm të të tregojë drejtimin e duhur e jo të të bëjë ty dikë që ti nuk je i gatshëm që të bëhesh.

Sidoqoftë, shumë situata stresante nuk janë të krijuara prej nesh. Zgjedhjet që të tjerët bëjnë, sjellin rrethana të vështira në jetën tonë. Divorci, humbje e planit të pensionit për shkak të menaxhimit të gabuar të dikujt, krimet, fëmijë kryeneçë, janë të tëra shembuj të rasteve kur të tjerët sjellin stres në jetën tonë. Në pikërisht këto momente, ne kemi nevojë të kemi mësuar që më parë të fshehtën: lutjen në kopsht. Lutja në kopsht është të jesh i vetëdijshëm që një kohë e vështirë po afron, dhe është një përkushtim për t’u lutur e për t’iu bindur Perëndisë pavarësisht rrethanave.

Lutja në kopsht është vendi ku nënshtrimi ndaj Perëndisë është ajo gjë që kërkohet. Në atë lutje na bëhet thirrje që t’i besojmë Perëndisë. Prirja jonë është që ta vëmë Perëndinë në provë, kur në fakt na duhet të mësojmë se si t’i besojmë Atij. Kur ti vë në provë Perëndinë, është sikur të debatosh me Të. Kur i beson Perëndisë, ti pranon drejtimin e Tij. Kur e vë në provë Perëndinë, ti përpiqesh ta bësh Perëndinë t’i nënshtrohet vullnetit tënd, kur ti i beson Perëndisë, ti i nënshtrohesh vullnetit të Tij. Kur ti vë në provë Perëndinë, kjo e rrit stresin sepse mund të na fusë në konflikt me Perëndinë, kur ne besojmë se na sjell paqe, forcë dhe fuqi për të jetuar. Kur stresi është në kulmin tij, shko tek vendi i fshehtë i lutjes, ulu në gjunjë dhe nënshtroju drejtimit nga Perëndia.