“Mateu” 6:9-13 ― Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë. Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu.

Një shekull më parë, Dejvid Livingstën (David Livingston) lexoi fjalët e Rabërt Mofitit (Robert Moffit) rreth Afrikës. Fjalët që ai lexoi atë ditë, i digjnin në zemër dhe një ëndërr u formua në mendjen e tij. Ai lexoi këto fjalë: Nga vendi ku rri, mund të shikoj tymin e dhjetë mijë fshatrave që kurrë nuk e kanë dëgjuar emrin e Jezus Krishtit. Kjo e bëri Livingstënin të binte në gjunjë e t’ia ofronte veten Perëndisë që të përdorej prej Tij. Në atë moment nuk kishte asnjë mënyrë që Livingstëni ta çonte qoftë ndër mend se çfarë rëndësie do të kishte jeta e tij për një kontinent të tërë njerëzish.

Ai udhëtoi 18,000 kilometra në këmbë, përmes xhunglash të pashkelura, duke u përballur me rreziqe dhe vështirësi të papërfytyrueshme. Ai u përlesh me kafshë të egra, dhe disa herë pothuajse u vra nga njerëzit tek të cilët ai shkonte për t’u çuar shpresën. Atë e plaçkitën dhe u braktis nga ata që supozohej ta ndihmonin, dhe kur u plak vuante nga sëmundje. Ai vazhdoi e vazhdoi derisa trupi nuk e lejonte më. E fshehta e kësaj jete të dedikuar u bë e dukshme kur ai vdiq. Më 1 Maj, 1893 ai u gjet i vdekur, në gjunjë, në pozicion lutjeje.

Edhe ti edhe unë jetojmë në një shoqëri false ku motoja është: shtiru derisa t’ia dalësh. Për ne si të krishterë, kjo nuk mund të jetë filozofia jonë. Ne duhet të jemi të sinqertë rreth besimit dhe disiplinave shpirtërore. Lutja është çelësi për fitimin e fuqisë shpirtërore në jetën tënde. Këtë ne e shikojmë në jetën e Jezusit vazhdimisht e vazhdimisht si një zakon për t’u larguar nga njerëzit e për të kaluar kohë në lutje.

Koha që Krishti kaloi në lutje private, e bëri Atë të jetë gati për t’u përballur me situata stresante. Ai u akuzua nga drejtuesit fetarë se kishte motive të gabuara. Armiqtë e Tij e paraqitnin Atë si të lidhur me perëndinë e rreme demonike të mizave, mushkonjave dhe erës së keqe. Ai u kërcënua, u refuzua, u tall dhe u përqesh. Megjithëkëtë, përmes tërë këtyre gjërave, Ai e mbajti Veten e nuk u lëkund.

Fuqia shoqërohet gjithnjë nga lutja. Ajo është një nga mrekullitë e hirit. Kur jeta duket se hedh gjënë më të keqe mbi ju, lutu. Kur retë e zeza shfaqen në horizontin e të ardhmes tënde, lutu. Kur armiku i shpirtit tënd sjell probleme të papritura, lutu. Lutu kur jeta shkon shkëlqyeshëm por edhe kur nuk është kështu. Lutu kur arsyetimi yt është i qartë si dhe kur nuk e shikon hapin tjetër që duhet të hedhësh.

Është përmes lutjes që Perëndia të përdor për të bërë gjëra më të mëdha se ç’mundeshe më përpara. Dyer mundësish do të hapen në mënyra të pazakonta, të cilat do të të bëjnë të aftë t’u shërbesh nevojave të të tjerëve. Dhe kur problemet e jetës duket se po të kaplojnë, fuqia shpirtërore dhe një ndjenjë paqeje kanë për të qenë ngushëllimi yt. Perëndia kryen mrekulli përmes jetës tënde kur ti bëhesh një person lutjesh.