Viti 1876 qe një vit i tmerrshëm në Minesota. Karkalecat gëlonin në të gjithë këtë shtet dhe kishin shkretuar të lashtat duke sjellë pothuajse shkatërrim të plotë. Pranvera e vitit 1877 solli përsëri frikën e një viti tjetër ku karkalecat do të sillnin shkretim. Guvernatori Xhon S. Pillsbëri (John S. Pillsbury) më 26 Prill, 1877 i bëri thirrje të tërë këtij shteti për një ditë lutjeje dhe agjërimi. Të tëra depot, dyqanet, shkollat dhe zyrat e bizneseve u mbyllën. Kishat u hapën në mënyrë që njerëzit të mblidheshin. Si nëpër kisha, ashtu edhe nëpër shtëpi, njerëzit u mblodhën dhe guxuan të besojnë që Perëndia mundej dhe se do t’i ndihmonte.

E nesërmja gdhiu me një diell veror që shndriste e jo me pranverën e freskët të Minesotës. Koha vazhdoi e nxehtë për tre ditë. Nga fundi i ditës së tretë, me miliona larva karkalecash filluan të çelnin. Përfytyroni pikëpyetjet në mendjet e njerëzve të këtij shteti të madh, kur e panë këtë murtajë që po merrte jetë. A mendoni se besimi i cili i bëri të mbyllnin gjithë institucionet shtetërore filloi të lëkundej?

Gjithsesi, në ditën e katërt, temperatura ra derisa një ngricë e madhe e mbuloi të tërë territorin. Karkalecat filluan të ngrinin e të ngordhnin. Brenda katër ditësh, Perëndia solli një mrekulli në këtë vend. Fermerët e Minesotës e mbajnë mend 26 Prillin, 1877 si ditën kur Perëndia iu përgjigj lutjeve të njerëzve. Pyetja ime për ju është: A mund të na tregoni një ditë kur Perëndia iu përgjigj lutjeve të juaja?

Si mundemi që ti dhe unë të marrim rezultate nga Perëndia kur lutemi? “Mateu” 6:5-6 thotë: Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.

Nga këto dy pasazhe, ne nxjerrim dy fakte të nënkuptuara: kur ti lutesh, dhe: kur ti agjëron. Ti nuk mund të marrësh përgjigje ndaj lutjes, nëse nuk e ke bërë shprehi lutjen. Nuk mjafton që thjesht të vish tek Perëndia kur ke një nevojë të madhe. Fuqia gjendet në një jetë të vazhdueshme në lutje.

Agjërimi ka qenë tërësisht një disiplinë e humbur ndër të krishterët. Agjërimi shpreh pendesë dhe një frymë të thyer përpara Perëndisë. Ajo është një disiplinë e brendshme e cila forcohet nga një sjellje e jashtme. Agjërimi e ka lëvizur gjithnjë dorën e Perëndisë në të mirë të njerëzve të Tij. Atje ku ka një nevojë apo kohë stresante, njerëzit e Perëndisë do të vazhdojnë të marrin përgjigje ndaj lutjeve, nëse thjesht do të guxojnë të besojnë. Është e mundur të kesh kohë në jetën tënde të cilat mund të kujtohen nga një datë kur Perëndia iu përgjigj lutjeve të tua.