“2 Kronikat” 20:5-12 ―Pastaj Jozafati u ngrit më këmbë në mes të asamblesë së Judës dhe të Jerusalemit në shtëpinë e Zotit përpara oborrit të ri dhe tha: "... Ja, tani bijtë e Amonit, të Moabit dhe ata të malit Seir, në territorin e të cilëve nuk e lejove Izraelin të hynte kur ata po dilnin nga Egjipti (prandaj ata qëndruan larg tyre dhe nuk i shkatërruan), dhe ja, tani ata na shpërblejnë, duke ardhur të na dëbojnë nga trashëgimia jote që na ke dhënë në zotërim. O Perëndia ynë, a nuk do t’i dënosh ata? Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tanë janë drejtuar te ti".

Kjo ditë agoi si shumica e ditëve të tjera gjatë pesë viteve të kaluara. Mbreti Jozafat nuk kishte arsye të mendonte se kjo ditë do të ishte ndopak ndryshe nga ajo e djeshmja në Judë. Ai e dinte se programi i secilës ditë qe caktuar. Ai ngrihej, hante një mëngjes të ushqyeshëm, bënte ushtrimet rutinë të mëngjesit, shkonte në sallën e fronit dhe merrej me punët e administrimit të një vendi të tërë. Secila ditë qe stresante për një individ të tillë të fuqishëm, por kjo ditë do ishte ndryshe. Gjatë mëngjesit apo fillimit të pasdites, erdhën lajme. Rojet prej tre nga avant-posteve të mbretërisë, erdhën me nxitim në pallatin mbretëror me lajme shqetësuese. Tre kombe: Amoni, Moabi dhe Mali Seir, kishte mbledhur secili një ushtri dhe po marshonin kundër Judës. Secila prej këtyre ushtrive qe aq e madhe sa t’ia dilte të luftonte e vetme kundër Judës. Të treja bashkë krijonin një raport të papërballueshëm. Në mes të këtij stresi të papritur, Mbreti duhej të merrte një vendim. Ai mund të kishte kaluar në panik e të kishte hequr dorë. Ai mund të kishte mbledhur ushtrinë e të kishte marshuar drejt fitores apo shkatërrimit, çfarëdo që fati t’i kishte sjellë. Por, mbreti Jozafat e dinte që në kohë stresi të madh, gjëja e parë që duhet bërë, është lutja. Ai doli përpara Perëndisë dhe tha atë lutje të mahnitshme të cilën e lexuam në tekstin e mësipërm. Pjesa më mahnitëse qe ajo që ndodhi kur ky mbret i fuqishëm, e kuptoi nevojën e tij dhe u lut duke thënë:… sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tanë janë drejtuar te ti. Sinqeriteti i mbretit solli përgjigjen e Perëndisë.

Ky mbret i fuqishëm i një kombi të madh e të lashtë, e kuptoi parimin e lutjes si gjë parësore, atëherë kur stresi qe më i madh se kurrë. Nëse ai, që disa mijëra vjet më parë, e shikonte një parim të tillë si të nevojshëm, do të na bënte mirë edhe neve tani që ta shikonim atë po kështu. Lutja ka qenë gjithnjë shtegu prej nga ku të sillnim mençurinë nga Perëndia. Lutja është çelësi për marrjen e bekimit nga Perëndia. Është në mrekullinë e lutjes që Perëndia përgjigjet me fjalë si ato që Ai i dha Jozafatit: Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë.

Kur stresi vjen në ato momente kapluese, ti nuk duhet t’ia mbathësh vrapit, nuk është as koha që të shkosh e të përballesh me çështjet problematike të tua duke i besuar ndonjë fatmbarësie të sjellë nga rastësia. Është koha që të përulësh gjunjët përpara Krijuesit e të kërkosh ndihmë dhe mençuri. Ti dhe unë ngurrojmë që ta bëjmë këtë sepse ne jetojë kaq shumë në njeriun natyror. Lutja është një praktikë e mbinatyrshme. Ajo i drejtohet Perëndisë tënd të mbinatyrshëm për të marrë fuqi dhe mençuri të mbinatyrshme. Më e mira është që lutja e lëviz dorën e Perëndisë për dobinë tënde.