Epo, këto ditët e fundit kam vënë re që xhinset e vjetra po më shtrëngojnë! Ah sa zët e kam këtë! Në fakt kam shtuar rreth dy kile të padëshiruara gjatë javëve të kaluara. Ju e dini se si këto gramë të bezdisshme, kthehen në kilogramë dhe nuk kalon shumë dhe ato kilogramë të tepërta fillojnë të japin probleme! E pastaj, krejt papritur të duhet t’i tërheqësh fort xhinset për t’i veshur, në vend që thjesht t’i futësh kollaj në këmbë!

Mirë atëherë, do filloj Agjërim Danieli për dhjetë ditët në vazhdim, që të përpiqem t’i heq ca kile shtesë që kam. Tani, më lejoni të jem e qartë. . . Në këtë rast, unë po kaloj në Dietën (jo në Agjërimin) e Danielit. . . për shkak se qëllimi im është që të bie në peshë. Unë nuk po agjëroj që do të thotë të kufizosh ushqimin për qëllime shpirtërore. Kështu, unë jam thjesht duke përdorur të mirat e fuqishme shëndetësore të stilit të të ngrënit të Agjërimit të Danielit, për ta kthyen trupin tim në peshën e tij më të përshtatshme.

Mendoj se është e rëndësishme që t’i mbajmë gjërat siç duhet rreth Agjërimit të Danielit. Agjërimi është për qëllime shpirtërore, dhe kur përdor Agjërimin e Danielit, ti do të përfitosh fizikisht bashkë me dobitë që ka mendja dhe shpirti yt.

Mbajtja e dietës nga ana tjetër, ka të bëjë fillimisht me trupin, me fizikun tënd. Kështu që unë do të filloj një dietë. . . duke përdorur mënyrën e të ngrënit të Agjërimit të Danielit. . . me shpresë që të bie pak nga pesha e padëshiruar.

Unë marr mesazhe nga shumë njerëz rreth Agjërimit të Danielit, të cilët bien nga 1.5 deri 20 kilogramë gjatë Agjërimit të tyre 21 ditor të Danielit. Unë zakonisht bie me 5 kilogramë. Për këtë unë them që Agjërimi i Danielit është një përjetim i të tërë trupit. Është mirë që duke kufizuar ushqimet, ta vësh shpirtin, si dhe trupin tënd, nën kontrollin e psikikës tënde (vendi ky ku banojnë dëshirat, emocionet, intelekti, ndjenjat dhe gjërat e ngjashme). Agjërimi i Danielit është aq i shëndetshëm dhe koha e përqendrimit tek Zoti përmes lutjesh të fokusuara, është aq e fuqishme saqë shumëkush shërohet gjatë përvojës së tyre të agjërimit.

Pasi thamë të tëra këto, thjesht doja të tregohesha e qartë. Do të ndjek udhëzimet për agjërimin e Danielit për arsye shëndetësore. Do të agjëroj më vonë, dhe atëherë kjo do të jetë vetëm për qëllime shpirtërore. Por hë për hë, dua të mund të vesh xhinset pa m’u dashur të kërkoj për ndihmë!