Agjërimi i Danielit është thjesht një lloj agjërimi i cili është i modeluar sipas tregimeve të Biblës. Agjërimi biblik është kufizimi i ushqimeve që hamë, për arsye shpirtërore dhe ne gjejmë përgjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re, besimtarë të cilët agjërojnë.

Shkrimi flet për tre lloje agjërimi:

Agjërim të pjesshëm – Danieli u angazhua në një agjërim të pjesshëm, të dokumentuar tek “Danieli”

10:2, 3, “Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota. Nuk hëngra ushqime të zgjedhura,

nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.” Ne nuk jemi të sigurt se përse Danieli nuk abstenoi tërësisht nga ushqimet, sepse duket se këtë gjë ai e bëri në agjërimin e dokumentuar në kapitullin 9. Gjithsesi, për një arsye a një tjetër, Danieli u angazhua në një agjërim të pjesshëm për të kërkuar mençurinë e Zotit.

Agjërimi i zakonshëm – Ky është agjërimi të cilin Jezusi e bëri kur shkoi në shkretëtirë. Ai nuk hëngri ushqim dhe duket se ka konsumuar vetëm ujë. Arsyeja përse studiuesit dalin në përfundimin që ai piu ujë ndërkohë që qe në agjërim, qe ngaqë Shkrimi thotë se Ai pati uri, por nuk thotë se kishte etje. Djalli e tundoi Jezusin me bukë, por jo me ujë. Kështu që ne supozojmë se ky qe një agjërim që lejonte vetëm ujin.

Agjërim absolut – Ky është agjërim ku nuk konsumohen as ushqime e as lëngje. Është një agjërim i rrallë e i përmendur vetëm pak herë në Bibël. Pali, gjatë përjetimit të tij në rrugën për në Damask “mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.” Ne nuk mund të jemi të sigurt nëse kjo ndodhi për shkak se ai ishte kaq shumë i tronditur nga ajo që po i ndodhte, apo se mos këtë e bënte vetë qëllimisht për arsye shpirtërore.

Tek Ezdra 10 e shikojmë këtë profet kaq të brengosur rreth veprimeve të njerëzve, saqë mbajti zi të madhe dhe u lut fuqishëm përpara Zotit. Në këtë kohë, ai as hëngri e as piu për të paktën një natë e ndoshta edhe më gjatë se aq.

Ka pak shembuj të agjërimeve 40 ditore absolute ku njerëzit duhet të kenë qenë ushqyer në mënyrë të mbinatyrshme. Moisiu, në dy raste të veçanta, kur ishte përpara Zotit, as hëngri e as piu. Elija duket se ka udhëtuar kryq e tërthor shkretëtirës për 40 ditë ndërkohë që nuk hëngri ushqim e as piu ujë. Një engjëll i shërbeu duke i dhënë ujë dhe kulaç.

Ka vetëm pak tregime rreth agjërimit të dokumentuar në Bibël. Ka edhe shumë të tjerë, e jo domosdoshmërisht për t’u marrë si standard. Danieli agjëroi për 21 ditë, Jezusi për 40, Ezdra për një natë, Korneliusi për 4 ditë, Pali për 3 ditë. Duket sikur të tërë këta njerëz po kërkonin Perëndinë

përmes agjërimit të tyre dhe ndoshta Zoti i drejtoi ata në “përcaktimin” e agjërimit të tyre.

Në Janar, me mijëra burra dhe gra mblidhen në unitet për një agjërim 21 ditor. Pjesa dërrmuese e tyre, do të përdorë Agjërimin e Danielit si formën e tyre të agjërimit. Unë kam dëgjuar shumë pastorë të thonë se do të angazhohen në një agjërim të zakonshëm për 21 ditë e disa për 30 ditë. Kam lexuar për burra dhe gra të Perëndisë të cilët kanë agjëruar nga të tëra ushqimet për 40 ditë, zakonisht vetëm pak herë në jetën e tyre.

Mendoj se pika e rëndësishme e agjërimit që të mos ketë një model specifik apo formë legaliste, është që të jetë i mbushur me Frymën. Përpara se të vendosni për formën e agjërimit që do të përdorni, kërkoni Zotin. Kërkojini Atij që t’ju drejtojë, pastaj kini besim që Ai do t’ju tregojë si të agjëroni ndërkohë që hyni në këtë disiplinë shpirtërore, për t’u afruar më shumë me Të.