Ky është viti i parë që ju kam grishur të bashkoheni me mua në një agjërim 21-ditor, për t’iu afruar Perëndisë dhe për ta nderuar Atë ndërkohë që kërkojmë fytyrën e Tij për këtë Vit të Ri. "O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur" (“Romakëve” 12:1). Duke e nisur vitin me një agjërim në grup, do të shikojmë që Perëndia do të takohet me ne në mënyra unike e të veçanta. Prania e Tij do të rritet gjithnjë e më shumë pas çdo dite agjërimi. Ai vjen gjithmonë, pa përjashtim! Perëndia dëshiron që të plotësojë nevojat tona, ndërkohë që ne i afrohemi Atij me lutjet tona: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen" (“Mateu” 6:33). Agjërimi është një parim të cilin Perëndia synonte që çdokush të ishte në gjendje që ta shijonte. Nuk është një ndëshkim, është një privilegj! Duke e kthyer agjërimin në një mënyrë jetese, ju mund t’i afroheni më shumë Perëndisë e të rriteni në ecjen tuaj shpirtërore si kurrë më parë. Agjërimi është një nga armët më të fuqishme që Perëndia na ka dhënë për jetën tonë të përditshme. Përmes agjërimit, ju mund të përjetoni një çlirim nga zgjedha e mëkatit ... rimëkëmbje në marrëdhëniet që keni me të tjerët ... bekim financiar ... ripërtëritje shpirtërore ... shërim mbinatyror si dhe shumë bekime të tjera ndërkohë që Perëndia dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve! Dua t’ju inkurajoj që të përcaktoni se për çfarë do të luteni gjatë agjërimit. Ka dy fusha specifike tek të cilat do të përqendrohemi së bashku, janë lutja në grup për nevojat e kishës dhe ato vetjaket. Ji shumë specifik në kërkesat e tua. Dëgjo për atë që Perëndia ka për të thënë si dhe ku Ai ka për t’ju drejtuar. Ai do t’u përgjigjet lutjeve në përputhje me vullnetin e Tij. Kur mësojmë që të lutemi në përputhje me vullnetin e Tij, ne mund të jemi të sigurt që do ta marrim përgjigjen e lutjeve tona. “1 Gjoni” 5:13-15, “Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë. Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson: Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij.”

Jam i entuziazmuar që ju keni vendosur të ndërmerrni këtë udhëtim shpirtëror agjërimi në jetën tuaj shpirtërore. Në 21 ditët në vazhdim, ju do të filloni të zbuloni parimet jetë- ndryshuese të agjërimit. Kërkoje Zotin në lutje dhe le që vendimi yt rreth agjërimit të vijë prej Tij. Kërkoji Zotit që të të tregojë fushat që duhet të shënjestrosh gjatë kohës që kalon në agjërim dhe lutje. Filloje me një qëllim të qartë, dhe përkushtohu për ta çuar agjërimin tënd deri në fund. Ji gati që të rritesh në ecjen tënde si kurrë më parë, ndërkohë që kërkon Zotin përmes parimeve biblike të lutjes dhe agjërimit. Mos harro: "Ai është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë!" (“Hebrenjve” 11:6)

Pastori Xhon Kernes (Jon Carnes)