Nuk ka kohë të përcaktuar në Agjërimin e Danielit. Përkundrazi, Agjërimi i Danielit ka të bëjë me kufizimin e llojeve të ushqimit që konsumohen, tek vetëm perimet dhe uji. Fjala zarzavate në Shkrime, faktikisht do të thotë frute dhe perime pasi këto qenë të tëra të lejuara nën ligjet ushqimore të judenjve.

Danieli i kërkoi kreut të eunukëve ta linte atë si dhe tre miqtë e tij, që të ushqeheshin me vetëm perime dhe ujë për 10 ditë, e pastaj të vinte e të shikonte gjendjen e tyre. Por kjo nuk i mbylli kufizimet ushqimore të tyre në vetëm këtë periudhe 10 ditore. Duket se përkundrazi, për Danielin si dhe të tjerët, kjo qe një mënyrë jetese. Nëse i vetmi ushqim i disponueshëm për ta qe vetëm ai që ishte ofruar si flijim për idhujt, ata nuk e hanin.

Ishte edhe një rast tjetër tek “Danieli” 10 ku ai po kërkonte mençuri nga Zoti dhe ku ai e dedikoi veten në një agjërim perimesh dhe uji për 21 ditë. Kjo është ndoshta arsyeja përse ka kaq shumë vetë që e lidhin Agjërimin e Danielit me një periudhë agjërimi 21 ditore. “Në atë kohë, unë, Danieli, mbajta zi për tri javë të plota. Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk futa në gojën time as mish as verë dhe nuk u vajosa aspak, deri sa kaluan tri javë të plota.” “Danieli” 10:2, 3

Ka nja dy gjëra që ne i shikojmë nga kjo pjesë e Shkrimit. Njëra është se duket që Danieli i ishte rikthyer ngrënies së mishit. Mishi të cilin ai e kishte refuzuar në kapitullin 1 qe ai që i ishte ofruar idhujve dhe perëndive të rremë. Për të, konsumimi i atij mishi do ta ndotte trupin e tij, të cilin ai ia kishte kushtuar (ndarë mënjanë) Zotit.

Së dyti, ne shikojmë në këtë agjërim që Danieli nuk hante ushqime të zgjedhura. Me atë që dihet nga dietat e asaj kohe, kjo me shumë mundësi i referohet bukëve (veçanërisht bukëve me maja), ëmbëlsirave dhe ushqimeve të tjera të larmishme.

Kështu që kur planifikon një Agjërim Danieli, të duhet gjithashtu të vendosësh se sa gjatë dëshiron ta mbash agjërimin tënd. Pjesa më e madhe e të krishterëve të cilët do të hyjnë në këtë Agjërim në Janar, zgjedhin një agjërim 21 ditor. Kjo ngaqë ky është më shumë një agjërim në grup me të krishterë nga mbarë Amerika e Veriut të cilët bashkohen në një përpjekje të përbashkët për të agjëruar si dhe për t’u lutur.

Jo të gjithë e nisin në të njëjtën ditë, megjithëkëtë, pjesa më e madhe e nis në ditët e para të Janarit. Nëse je bërë pjesë e një agjërimi në grup me kishën tënde apo me një grup besimtarësh, atëherë dita e nisjes tënde mund të përcaktohet nga organizatorët. Përndryshe, ky është një vendim të cilin ju mund ta merrni vetë me lutje.

E njëjta gjë vlen për kohëzgjatjen e agjërimit tënd. Mos harro që ky është një agjërim shpirtëror ku Dieta e Danielit shërben si përkufizim për ushqimet që do të hash. Kështu, planifikimi i agjërimit tënd duhet të jetë serioz e i qëllimtë. Agjërimi shpirtëror është për rezultate shpirtërore. Kështu shqyrto qëllimet e tua.

Kohëzgjatja e zakonshme për agjërimin është 1-, 3-, 7-, 10-, 21-, dhe 40 ditë. Është e qartë që nuk ka ndonjë rregull të përcaktuar për çfarëdo numri ditësh. Nëse je i ri në agjërim, mund të duash të fillosh me 3 apo 7 ditë. Nëse ke më shumë përvojë, një agjërim 21 ditor është me shumë mundësi ai që duhet për agjërim të përshtatshëm për hyrjen në Vitin e Ri. Agjërimet 40 ditore zakonisht ndërmerren vetëm pak herë (nëse ndonjëherë) në jetë.

Ki parasysh që ka shumë lloje agjërimesh — dhe ka lloje të shumta agjërimesh shpirtërore. Ato variojnë në kohëzgjatje dhe në lloje e sasi të ushqimeve që konsumohen. Ky sit interneti përqendrohet tek Agjërimi i Danielit i cili po bëhet gjithnjë e më i përhapur në komunitetin e krishterë.