Përgatitja për Agjërimin e Danielit, është e rëndësishme. Sigurisht, ti do të doje që t’i kishe të planifikuara të tëra menutë, t’i kishe të mbledhura të tëra recetat e t’i kishe blerë të tëra ushqimet. Këto çështje janë trajtuar më shumë në postime të tjera që mund t’i gjeni në këtë blog interneti (shiko listën e kategorive).

Por në këtë postim, dua të përqendrohem tek përgatitja nga ana shpirtërore për Agjërimin e Danielit. Fjala e Perëndisë përmban disa mësime shumë të rëndësishme rreth agjërimit e se si ta bëjmë një agjërim që është i kënaqshëm për Zotin.

Agjërimi është PËR Zotin! “Isaia” 58 është njëri prej kapitujve në Bibël që do të donit ta lexonit ndërkohë që përgatitni agjërimin tuaj. Këtu, Zoti i adresohet pikërisht atyre çështjeve shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me prioritetet e agjërimit. Ai u përgjigjet njerëzve fetarë të cilët agjërojnë dhe që pastaj i kërkojnë Zotit: “Pse kemi agjëruar, dhe ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtrat tanë dhe ti nuk e ke vënë re?".

Zoti i qorton njerëzit ngaqë Ai është në gjendje ta shikojë motivimin e agjërimit të tyre. Ata nuk po agjëronin për Të . . . por në vend të kësaj, po agjëronin për veten apo për t’u lënë mbresë të tjerëve që mund t’i shikonin. Njerëzit mund të kenë qenë duke agjëruar thjesht duke mos ngrënë ushqim, por ata po e linin Perëndinë si dhe dëshirat e Tij për jetën e tyre, jashtë atij agjërimi. Ai

tha: “Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen.” Me fjalë të tjera, agjërimin e tyre ata po e

përqendronin tek vetja! Agjërimi i tyre qe një agjërim i përqendruar tek vetja më shumë sesa një agjërim me në qendër Perëndinë.

Kështu që Ai i pyet njerëzit: “Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë? A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfrit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?” “Isaia” 58:6, 7

Tani, a po thoshte Perëndia vallë që ne nuk duhet të agjërojmë por që ta drejtojmë vëmendjen tonë tek të varfrit dhe të shtypurit? Jo. Përkundrazi, ai po qortonte këta njerëz sepse ndërkohë që ata po përqendronin të tërë vëmendjen e tyre tek akti fetar i agjërimit, ata nuk po kuptonin zemrën e Perëndisë. Jetët e tyre nuk qenë të këndshme për Të, e kështu nuk kishte asnjë mënyrë që Ai të mund të “vinte re” agjërimin e tyre.

Zoti vazhdon duke i treguar njerëzve se çfarë do të bënte për ta nëse ata i rakordojnë zemrat e tyre me zemrën e Tij, “Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote. Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!"..

“Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht, në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita. Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.”

Ndërkohë që ti shqyrton me lutje agjërimin tënd, mendo për atë që do të ishte e kënaqshme për Zotin. Mbaje në krye të mendimeve të tua që agjërimi është “për Zotin.” Ai e shikon zemrën tënde (motivet e tua) dhe Ai dëshiron që ju të hyni në këtë agjërim për ta kërkuar Atë, për ta nderuar Atë, e për t’iu afruar më shumë Atij.

Jezusi foli gjithashtu për agjërimin e egoist tek “Mateu” 6:16-18: “Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t`u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht.”

Shumë shpejt ju do të filloni agjërimin tuaj. Kaloni kohë dhe takohuni me Zotin. Pyeteni atë rreth agjërimit. Së pari, a dëshiron Ai që ju të agjëroni tani? Dëgjoni me zemrën tuaj, dhe do të dëgjoni se çfarë dëshiron Ai që ju të bëni.

Nëse do të agjëroni në këtë kohë, atëherë kërkojini Zotit t’ju tregojë qëllimin që Ai ka për ju gjatë agjërimit. A ka çështje problematike që të shqetësojnë? A dëshiron Zoti që ju t’i besoni Atij më shumë? A ka ndonjë kauzë për të cilën Ai po ju bën thirrje që të luteni?

Gatituni për agjërimin duke kërkuar Zotin. Bëje këtë agjërim si për Zotin, atëherë Ai do të të shpërblejë dhe ti do të zbulosh fuqinë dhe qëllimin e agjërimit shpirtëror!