Kur studion Shkrimet, do të shikosh që kur njerëzit agjëruan, kjo e kishte një qëllim — nuk qe thjesht një ushtrim fetar. Danieli agjëroi nga ushqimet e mbretit dhe nga vera, sepse ato i ishin ofruar perëndive të babilonasve, dhe ai nuk donte që ta ndotte trupin e vet. Ai më vonë u lut dhe agjëroi për të “inkurajuar” lirimin e profetizuar të Izraelit nga robëria babilonase. Dhe në agjërimin e tij të tretë të dokumentuar, Danieli po vazhdonte të kërkonte lehtësim për trysninë e madhe që ndjente për shkak të një ëndrre që kishte parë.

Në Besëlidhjen e Re, njerëzit agjëronin kur kishin nevojë për udhëzim apo për të marrë përgjigje për lutjet e tyre. Shpesh herë, kur Shkrimi përdor fjalë të tilla si “me anë lutjesh dhe përgjërimesh” ka të ngjarë të jetë duke iu referuar agjërimit.

Ndërkohë që përgatitesh për Agjërimin tënd të Danielit, cili do të jetë qëllimi yt? A ka nevoja të veçanta në familjen tënde? A ka ndonjë person të dashur për ty i cili nuk e ka pranuar Krishtin? A ke trysni financiare? A ka sëmundje që duhen shëruar? A ke nevojë për një punë të re apo ndihmesë për biznesin tënd?

Kalo ca kohë duke shkruar nevojat e tua si dhe qëllimin që ke për agjërimin që po kryen. Këto do të jenë subjektet e tua për lutje dhe studim Bible. Gjëra të mahnitshme ndodhin gjatë kohës së lutjes dhe të agjërimit! Kërkoje Zotin. Ai është Perëndia ynë i Shenjtë! I Plotfuqishmi. Asgjë nuk është e pamundur për Të. Thërrit në Emrin e Zotit! Lutja hap dyert e jetës tonë në mënyrë që Zoti të kryejë veprat e Tij në të! Kërko. Lyp. Trokit.

Agjëro me një qëllim! Shiko pastaj se çfarë do të bëjë Zoti!