Tani jam duke hyrë në vitin e katërt që u mësoj njerëzve rreth Agjërimit të Danielit, që është një metodë agjërimi shpirtëror, e praktikuar nga miliona njerëz në mbarë botën. Përgjatë viteve, u jam përgjigjur realisht mijëra pyetjesh rreth Agjërimit të Danielit, dhe Perëndia më ka bekuar me shokë e shoqe të rinj nga aq shumë vende të ndryshme sa s’i numëroj dot.

Një gjë që kam vërejtur, është që shumë njerëz kanë një keqkuptim të rëndë rreth arsyes përse agjërojnë. Më i madhi i këtyre keqkuptimeve, është që Perëndia do t’i shikojë kësisoj si të “krishterë më të mirë” ose se do t’i pranojë ata më me gatishmëri nëse ata përmbushin një Agjërim të suksesshëm Danieli.

Por e vërteta është që. . . ti nuk ke për ta ndryshuar mendjen e Perëndisë rreth teje, përmes lutjes dhe agjërimit. E vetmja gjë që ndryshon mendjen e Perëndisë rreth teje – ose më mirë të them, e vetmja gjë e cila ka për të ndryshuar pozitën tënde para Perëndisë, është Jezus Krishti. Ngaqë ti beson në Krishtin dhe qëndron në Të dhe fjalën e Tij. . . kjo është ajo që të bën të pranueshëm ndaj Perëndisë. Jezusi të bën të drejtë dhe të aftë për t’u futur në praninë e Shenjtërores së Shenjtërorëve. Gjaku sakrifikues i Jezusit, e kreu të tërë punën që do të të duhet ndonjëherë për të qenë i pranueshëm për Perëndinë.

Një keqkuptim tjetër rreth agjërimit, është që ne mund ta ndryshojmë mendjen e Perëndisë duke u lutur më shumë apo më me zell kur agjërojmë– a thua se kemi nevojë të këshillojmë Perëndinë në mënyrë që Ai të marrë vendimet e duhura për këtë çështje.

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin, Perëndia dëshiron shumë që vullneti i Tij të bëhet “në tokë, ashtu siç bëhet në qiell.” Ai dëshiron gjërat më të mira për ty dhe pjesëtarët e familjes tënde. Ai dëshiron që ju të shëroheni. Ai dëshiron që të mos jeni të shqetësuar apo të stresuar rreth çështjeve financiare. Ai dëshiron që të keni marrëdhënie plot dashuri dhe të shëndetshme. Fjala e Tij është përplot me gjërat që Ai dëshiron, me vullnetin e Tij për ty, për mua, e për të gjithë njerëzimin.

Nuk na duhet t’ia mbushim mendjen Perëndisë apo ta informojmë apo udhëheqim Atë. Në fakt, vlen e kundërta. Perëndia me zor pret që t’ju mbulojë me dashuri, shërim, paqe dhe mirësi. Ai është i mirë! Ai është dashuri.

Atëherë cilat janë ligjet shpirtërore që Perëndia ka caktuar, në mënyrë që vullneti i Tij të bëhet në tokë ashtu sikurse është në qiell?

Është lutja. Lutjet nga njerëzit e Perëndisë, shërbejnë si një përcjellësi për të çliruar vullnetin e Tij nga bota shpirtërore e për ta sjellë në botën tokësore. Lutja është elementi kyç.

Një nga mësuesit e preferuar të mi të Biblës, e krahason ligjin shpirtëror me një central elektrik. Centrali elektrik është atje dhe gati për të çliruar energjinë e tij ndaj kujtdo që e ka të nevojshme. Atëherë, le të themi se keni një llambë të cilën doni që ta përdorni për të bërë dritë. Centrali elektrik është gati për të lëshuar elektricitetin. Llambën e ke me vete, gati për të marrë e shfrytëzuar elektricitetin. Por ka një pjesë që mungon. . . përcjellësi: telat. Sapo të instalohen telat e duhur, centrali elektrik mund ta transmetojë energjinë dhe llamba do mund

ta marrë atë.

E njëjta gjë vlen për Atin tonë të mahnitshëm. Ai është në qiell plot me pushtet, lavdi, mëshirë dhe hir. Vullneti i Tij është që fuqia e Tij të çlirohet në tokë për të lehtësuar barrat e njerëzve, për të sjell rend në mes të kaosit, për të shëruar zemërthyerit, për të larguar sëmundjet e shumë më tepër se aq. Por përpara se fuqia e tij të mund të çlirohet, duhet të ketë përcjellësa: burra dhe gra të cilët deklarojnë vullnetin e Tij përmes lutjeve të tyre. Prej ndërmjetësuesve kërkohet që të qëndrojnë ndërmjet Perëndisë dhe atyre të cilët nuk munden të luten për veten. Luftëtarët e lutjes, duhet t’i japin zë vullnetit të Perëndisë për nevojat në botën tonë.

Lutja lidhet me centralin, me Perëndinë e fuqishëm në qiell, dhe i bën të mundur Atij që të çlirojë fuqinë e Vet në botën tokësore. Vullnetin e Tij në tokë ashtu sikurse është në qiell.

Kështu që lutja dhe agjërimi është një periudhë kohore ku fëmijët e Perëndisë mund të shkëputen nga aktivitetet e tyre tipike dhe të përqendrohen tek Perëndia dhe të luten që vullneti i Tij të realizohet në tokë. Jezusi thotë tek “Marku” 11:24, “Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke lutur, besoni se do t`i merrni dhe ju do t`i merrni.” I vini re të tërë elementët? Lutjet ndaj Perëndisë, nevojat në tokë, çlirimi i fuqisë së Perëndisë.

Hyni në një kohë lutjeje dhe agjërimi duke përdorur Agjërimin e Danielit si metodën tuaj të agjërimit . . . studioje Fjalën e Perëndisë për të mësuar vullnetin e Tij për një situatë të caktuar. . . dhe pastaj përdore periudhën tënde të përqendruar kohore për t’u lutur për vullnetin e Tij në këto rrethana! Ai tashmë e di gjithçka që ju keni nevojë. Ai është Perëndia i plotfuqishëm. Ai nuk ka nevojë që ta informojmë apo që ta bindim për diçka, apo që ta prekim në zemër.

Në vend të kësaj, Perëndia ka nevojë për ju! Ai ka nevojë që ju të luteni. . . dhe nganjëherë, është e nevojshme që lutja të jetë intensive dhe e përqendruar. . .dhe atëherë ka ardhur koha për një agjërim! Agjërimi u caktua nga Perëndia për të na ndihmuar që të ndryshojmë atë që jemi duke bërë në ditët tona të zakonshme, në mënyrë që të mund të lutemi që vullneti i Tij të bëhet, në tokë ashtu sikurse bëhet në qiell.

Qofshi të bekuar në agjërimin tuaj.