Nga të gjitha disiplinat frymërore të krishtera agjërimi është ajo më e fuqishmja. Përmes agjërimit dhe lutjes, Fryma e Shenjtë mund të ta transformojë jetën.

Agjërimi dhe lutja mund të funksionojnë gjithashtu në një nivel shumë të lartë. Sipas Shkrimit, përvojës personale si dhe vëzhgimeve që kam bërë, jam i bindur se kur njerëzit e Perëndisë agjërojnë duke patur një motiv të duhur biblik, duke kërkuar fytyrën e Perëndisë e jo dorën e Tij, me një frymë të përulur, të penduar dhe të thyer, atëherë Perëndia do të dëgjojë nga qielli dhe do ta shërojë jetën, kishën, komunitetin dhe kombin tonë si dhe mbarë botën. Agjërimi dhe lutja mund të shkaktojnë rizgjim frymëror, mund të sjellë një ndryshim në drejtimin e kombit tonë, kombet e tokës si dhe plotësimin e Porosisë së Madhe.

Fuqia e jashtëzakonshme mund të çlirohet përmes jush, ndërkohë që ti agjëron përmes aftësimit prej Frymës së Shenjtë.

Agjërimi është një nga këshillat më të shpërfillura frymërore. Faktikisht, ai është shpërfillur për aq shumë kohë saqë është e vështirë të gjesh informacion për se si ta kryesh këtë përvojë jetë-ndryshuese. Kur unë ndërmora për herë të parë një agjërim të zgjatur, e pata të vështirë të gjeja informacion rreth natyrës së një agjërimi biblik, se si ta filloja, çfarë të prisja fizikisht dhe frymërisht, dhe se si ta përmbyllja një agjërim.

Këto faqe kanë për synim t’u japin përgjigje pyetjeve të juaja praktike rreth agjërimit, si dhe të lehtësojnë çfarëdo shqetësimi që mund të keni. Në këtë seri, ju do të mësoni:

  • Arsyen përse ju duhet të agjëroni
  • Si të agjëroni pa rrezikuar
  • Sa i gjatë dhe cili lloj i agjërimit është i duhuri për ty
  • Si ta përgatitësh veten shpirtërisht dhe fizikisht
  • Si ta menaxhosh programin tënd ditor ndërkohë që agjëron
  • Si të përballesh me reagimet e shokëve dhe njerëzve të tjerë të dashur
  • Si ta bësh përvojën tënde frymërore më të mirën e mundshme
  • Si të ruash baraspeshën ushqimore dhe shëndetin nga fillimi e deri në fund
  • Çfarë dobie fizike mund të presësh
  • Si ta përmbyllësh agjërimin tënd e të kthehesh tek programi yt i zakonshëm në një mënyrë të SHËNDETSHME

Unë dëshiroj të të jem ndihmë, kështu që do të të flas përmes këtyre faqeve në pika të ndryshme të këtij studimi. Unë kam kryer pesë agjërime 40 ditore. Dëshiroj të ndaj me ju atë që kam mësuar dhe ato gjëra që më kanë ndihmuar. Edhe nëse mbani një agjërim 1 ditor edhe nëse mbani një të zgjatur 40 ditor, unë lutem që dashuria dhe bekimet më të mrekullueshme të Zotit tonë, do të derdhen mbi ty ndërkohë që ti hedh këtë hap entuziazmues besimi.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Përse duhet të agjërosh

Nëse nuk e njeh tashmë fuqinë dhe rëndësinë e agjërimit, këtu janë disa fakte shumë të rëndësishme:

  • Agjërimi qe një disiplinë e pritshme si në epokën e Besëlidhjes së Vjetër ashtu edhe në atë të Besëlidhjes së Re. Për shembull, Moisiu agjëroi të paktën dy periudha të dokumentuara dyzet ditore. Jezusi agjëroi 40 ditë dhe i kujtoi pasuesit e Vet që të agjëronin duke thënë "kur agjëroni," jo nëse agjëroni.
  • Agjërimi dhe lutja mund të rimëkëmbë humbjen e “dashurisë së parë” për Zotin tënd dhe të çojë në një marrëdhënie më të ngushtë me Krishtin.
  • Agjërimi është një mënyrë biblike se si ta përulësh me të vërtetë veten përpara Perëndisë (“Psalmi” 35:13; “Ezdra” 8:21). Mbreti David tha: "E mundova shpirtin tim me agjërim."
  • Agjërimi i mundëson Frymës së Shenjtë që të nxjerrë në pah gjendjen tënde të vërtetë shpirtërore, gjë që çon në thyerje, pendesë dhe në një jetë të transformuar.
  • Fryma e Shenjtë do ta zgjojë Fjalën e Perëndisë në zemrën tënde dhe e vërteta e Tij do të bëhet më kuptimplotë për ty!
  • Agjërimi mund ta kthejë jetën tënde të lutjes në një përvojë më të pasur e më personale.
  • Agjërimi mund të çojë në një rizgjim personal dinamik në jetën tënde, e të të bëjë një kanal rizgjimi shpirtëror për të tjerët.
  • Agjërimi dhe lutja, janë të vetmet disiplina të cilat plotësojnë kërkesat e “2 Kronikat” 7:14:
    "Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t`i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij."

Nëse do të agjërosh, do ta gjesh veten të përulur si unë. Do të zbulosh më shumë kohë për t’u lutur e për të kërkuar fjalën e Perëndisë. E ndërkohë që Ai ju drejton për të kuptuar dhe për t’u penduar për mëkatet e parrëfyera, do të përjetoni bekime të veçanta prej Tij.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si të agjërosh në një mënyrë të sigurt

Ndërkohë që fillon agjërimin tënd, ti mund të dëgjosh njerëzit e tu të zemrës apo shoqërinë, që të nxit të mbrosh shëndetin tënd. Dhe kanë të drejtë. Ti duhet ta mbrosh shëndetin tënd. Por unë të siguroj se nëse bëhet siç duhet, agjërimi jo vetëm që do ta vërtetojë se është një bekim shpirtëror, por gjithashtu edhe një bekim fizik.

Pa diskutim, këshillohu me doktorin tënd përpara se të fillosh agjërimin. Por, ki parasysh që shumë doktorë nuk janë trajnuar në këtë fushë, kështu që e kanë të kufizuar kuptimin e saj. Megjithëkëtë, do të ishte mirë të vizitoheshe tek mjeku për t’u siguruar se gëzon shëndet të mirë. Ti mund të kesh një problem fizik i cili mund ta bëjë agjërimin jo gjë të mençur ose të rrezikshme për t’u bërë. Gjithashtu, nëse je duke marrë çfarëdo lloj mjekimi, konsultohu pa tjetër me mjekun tënd përpara se të ndryshosh regjimin. Maturia dhe veprimi me kujdes, duhet të jenë në veprim.

Kur sigurohesh se gëzon shëndet të mirë, atëherë je gati për ta filluar agjërimin tënd. Ndiq udhëzimet në Përgatitjet Fizike dhe Ruajtja e Baraspeshës Ushqimore si dhe pjesëve mbi Shëndetin në këtë faqe interneti.

Pavarësisht sigurisë dhe dobisë absolute të agjërimit, ka disa persona të caktuar të cilët nuk duhet të agjërojnë KURRË pa patur mbikëqyrje profesionale. Për shembull:

  • Njerëzit të cilët janë fizikisht tepër të imët ose të hollë.
  • Njerëzit të cilët janë pre e anoreksisë, bulimisë apo çrregullimeve të tjera të sjelljes.
  • Ata që vuajnë nga pafuqia apo anemia.
  • Njerëzit të cilët kanë tumore, ulcera hemorragjike, kancer, çrregullime me gjakun apo ata që kanë sëmundje zemre.
  • Ata të cilët vuajnë nga probleme kronike me veshkat, mëlçinë, mushkëritë, zemrën apo organe të tjera të rëndësishme.
  • Individët të cilët marrin insulinë për diabetin, apo që vuajnë nga probleme të tjera me sheqerin në gjak të tilla si hiperglicemia.
  • Gratë shtatzëna apo me fëmijë në gji.

Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Cili është lloji dhe sa i gjatë është agjërim i duhur për ju?

Nëse nuk ke agjëruar kurrë më përpara, e duartrokas interesin e tanishëm të cilin po tregon! Agjërimi ka qenë një pikë kryesore e theksuar në jetët e shumë drejtuesve të mëdhenj shpirtëror përgjatë gjithë historisë. Xhon Ueslli (John Wesley), themeluesi i denominacionit (grupimit kishtar) Metodist, agjëronte çdo të mërkurë dhe të premte, dhe kërkonte nga e gjithë kleri i tij të bënte të njëjtën gjë. Shërbenjësit efikasë të Perëndisë, duke filluar që nga apostulli Pal e deri tek Martin Luteri (Martin Luther) dhe Xhon Kalvinin (John Calvin), e bënë agjërimin një pjesë përbërëse të jetës së tyre me Perëndinë.

Asnjë prej këtyre njerëzve nuk kishte një “formulë agjërimi” si mënyra e vetme e “duhur”. Agjërimi ka të bëjë me një gjendje të zemrës, jo me numrin e ditëve. Çdo herë që kam agjëruar për dyzet ditë, e kam bërë këtë ngaqë jam ndjerë një shtysë nga Perëndia për të vepruar në atë mënyrë.

Kështu që fillo me ngadalë. Agjëro një vakt në ditë, për një ditë në javë, për një javë në muaj. Ndërtoi muskujt e tu shpirtërore, në mënyrë që brenda disa muajsh, të mundesh të agjërosh për një periudhë 40 ditore.

Bibla flet për kryesisht dy lloje agjërimesh

Një agjërim i pjesshëm përshkruhet tek libri i Danielit. Paçka se agjërimi nga uji dukej se ishte ai i zakonshmi për profetin, pati një periudhë tre javore në të cilën ai abstenoi nga "njomështitë," mishi dhe vera (“Danieli” 10:3).

Dy llojet kryesore të përmendura në Bibël, janë agjërimi "absolut" si dhe "absoluti mbinatyror". Këto janë agjërime tërësore, pra pa ushqim (as të fortë e as të lëngshëm) dhe pa ujë. Pali u fut në një agjërim absolut për tre ditë pasi hasi Jezusin rrugës për Damask (“Veprat” 9:9). Moisiu dhe Elija u futën në atë që duhet të konsiderohet një agjërim absolut për dyzet ditë (“Ligji i Përtërirë” 9:9; “I Mbretërve” 19:8).

Kështu që unë me forcë ju këshilloj të pini lëngje me bollëk. Është e qartë që nëse Perëndia të drejton të futesh në një agjërim absolut, ju duhet t’i bindeni. Nëse është kështu, sigurohu aq sa të mos kesh asnjë dyshim që Perëndia është Ai që po të drejton.

Agjërimet vetëm me ujë të cilat zgjasin për më tepër se thjesht pak ditë, duhen ndërmarrë me pushim total e nën mbikëqyrje mjekësore për shkak të rrezikut ekstrem nga mbi-toksifikimi, shthurja e indeve jetike trupore, si dhe humbja e elektroliteve.

Unë personalisht rekomandoj dhe praktikoj agjërimin me ujë dhe lëngje frutash, veçanërisht kur do të agjërosh për një periudhë të gjatë kohore. Ky lloj agjërimi do të të sigurojë më shumë energji sesa agjërimet absolute apo ato vetëm me ujë, e prapë se prapë të çon në përvojën e fisme të mohimit të dëshirës tënde për ushqim të fortë të përtypshëm.

Kur bëhet fjalë për marrjen e vendimit tënd përfundimtar rreth cilit lloj agjërimi është i duhuri për ty, këshilla më e mirë që unë mund të të jap, është që të ndjekësh drejtimin e Frymës së Shenjtë. Ai do të ta udhëheqë zemrën dhe mendjen për atë që është më e mira për ty. Mos harro, faktori më i rëndësishëm në agjërim është motivi yt. Përse po agjëron? Për të kërkuar diçka personalisht nga dora e Perëndisë, apo për të kërkuar fytyrën e Tij në adhurim, lavdërim dhe falënderim?


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si ta përgatitesh veten shpirtërisht dhe fizikisht

Përgatitja shpirtërore

Në përgatitje për këtë kohë të veçantë me Perëndinë, unë të nxis me forcë që të shqyrtosh zemrën tënde e të zbulosh çfarëdo mëkati të parrëfyer ke aty. Përpara se t’ua dëgjojë lutjet, Shkrimi thotë se Perëndia u kërkon gjithnjë njerëzve të Tij që të pendohen për mëkatet e tyre. Mbreti David tha:

Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trembeni Perëndisë, dhe unë do t`ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim. I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time. Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar. Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime

Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij. (“Psalmi” 66:16-20)

Në lutjet e tua, rrëfe jo vetëm mëkatet ashiqare, por edhe ato më pak të dukshmet. Mëkatet e mosbërjes së gjërave si edhe mëkatet e përvojave të kryera. Këto mund të jenë përvoja largimi prej teje nga dashuria e parë për Zotin tonë: mendësi sipas botës, egoizëm, indiferencë shpirtërore dhe mungesë gatishmërie për të ndarë besimin tënd në Krishtin me të tjerët, moskalimi i një kohe të mjaftueshme me Fjalën e Perëndisë dhe në lutje, në një marrëdhënie e varfër me bashkëshortin/bashkëshorten tënde, me fëmijët e tu, me pastorin apo me pjesëtarë të tjerë të kishës tënde.

Një mënyrë e shkëlqyer se si të përgatitesh për agjërimin tënd, është të praktikosh atë që unë quaj "Frymëmarrje shpirtërore." Koncepti është i thjeshtë, por ai ka ndryshuar si jetën time ashtu dhe atë të miliona të tjerëve.

Ashtu si frymëmarrja fizike, Frymëmarrja Shpirtërore është një proces i nxjerrjes jashtë i të papastrës dhe thithjes së të pastrës. Nëse ti mëkaton me vetëdije, merr frymë shpirtërore për të rimëkëmbur plotësinë e Frymës së Shenjtë në jetën tënde. Ti nxjerr frymë duke i pohuar mëkatet e tua sapo ndërgjegjësohesh për to, dhe ti merr frymë duke e ftuar Frymën e Shenjtë që të rimarrë kontrollin e jetës tënde. Si një veprim besimi, besoji Atij që të të fuqizojë. Gjatë agjërimit, frymëmarrja shpirtërore, pra mbështetja e pandërprerë e Frymës së Shenjtë-do të të bëjë të aftë për t’u rezistuar tundimeve, jo vetëm atyre për të mëkatuar, por edhe atyre për të braktisur agjërimin tënd.

Përgatitja fizike

Paçka se agjërimi është kryesisht një disiplinë shpirtërore, ai fillon në rrafshin fizik. Ti nuk duhet të agjërosh pa një përgatitje specifike fizike.

Nëse planifikon të agjërosh për disa ditë me radhë, do ta shikosh të dobishme të fillosh duke konsumuar vakte më të mpakura përpara se të abstenosh prej të gjithave. Rezistoji shtysës së brendshme për të ngrënë "gostinë e fundit të madhe" përpara se të agjërosh. Zvogëlimi i vakteve të tua pak ditë përpara se të fillosh agjërimin, do të sinjalizojë mendjen, stomakun dhe oreksin tënd duke i treguar se edhe një sasi më e paktë ushqimi është e pranueshme.

Disa profesionistë shëndeti, sugjerojnë ngrënien e vetëm ushqimeve të pagatuara për dy ditë përpara nisjes së një agjërimi. Unë gjithashtu rekomandoj që ta largosh veten prej kafeinës si dhe produkteve sheqeroze për të lehtësuar urinë e fillimit apo gjendjen e sikletshme gjatë fazave të para të agjërimit tënd.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si të menaxhosh programin tënd gjatë agjërimit

Sa gjatë agjëron, lloji i agjërimit që ndërmerr, dhe mënyra se si ti e përshtat programin e punës tënd, varet kryesisht nga profesioni që ke. Njerëzit me punë zyre, pastorët ose amvisat mund ta kenë më të lehtë të vazhdojnë me detyrat e tyre përkrah agjërimit për periudha më të gjata kohore. Në fakt, mbi bazën e përvojës time personale, udhëtimeve në mbarë botën si dhe letrave të shumta që kam marrë, jam i bindur se shumë mijëra pastorë dhe joklerikë e joklerike, tashmë e kanë kryer një agjërim 40 ditor!

Paçka se të shumtë janë ata të cilët kanë punë të rënda fizike e që gjithsesi i kane shijuar agjërimet e zgjatura, nëse ke një punë të atillë, mund të dëshirosh të agjërosh vetëm një apo më shumë ditë të javës, duke e kufizuar veten në një agjërim të pjesshëm nëse je kaq i zënë. Ose ti mund t’i shikosh fundjavat si koha më e mirë për të hequr dorë nga ushqimi. Mbaj mend gjithashtu se agjërimi gjatë ditëve të festave të rëndësishme, nuk është gjithnjë ide e mirë. Familja mund të vihet në siklet dhe tundimet për të ngrënë mund të jenë kapluese.

Arsyet për përshtatjen e programit, veçanërisht gjatë një agjërimi të zgjatur, janë të dyfishta...

E para është fizike. Gjatë gjithë agjërimit tënd, ti mund të ndjehesh disi më i dobët se zakonisht. Gjatë ditëve të para fare, mund të ndjehesh i lodhur dhe i acaruar. Lehtësimi i barrës tënde të punës dhe shkurtimi i ushtrimeve të mundimshme, do të ishte një ide shumë e mirë për të ruajtur shëndetin dhe mbajtur lart moralin tënd.

Arsyeja e dytë është shpirtërore. Agjërimi nuk është thjesht t’i mohosh vetes ushqimin. Domethënia e tij është shkëmbimi i nevojave fizike me ato shpirtërore. Kohë të zgjatura lutjeje dhe leximi të Fjalës së Perëndisë, kanë për të qenë thelbësore nëse do të hysh në një bashkësi më intime me Perëndinë, për ta mbajtur agjërimin derisa ta përfundosh. Ndërkohë që agjëron, nëse e harxhon energjinë tënde në punë të shumta, duke qenë i zënë, apo në shpërfillje për të shpenzuar një kohë të veçantë me Perëndinë, do të vuash për ushqim si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht. Do ta shikosh se do të dekurajohesh dhe pezmatohesh më shumë me agjërimin tënd në vend që të përfitosh, ngrihesh lart dhe bekohesh prej tij. Unë nuk dua që kjo të të ndodhë.

Sa më tepër kohë që të kalosh me Perëndinë në bashkësi, adhurim dhe admirim ndaj Tij, dhe sa më shumë që të lexosh e të përsiatesh mbi Fjalën e Tij, aq më i madh ka për të qenë efektiviteti yt në lutje e aq më kuptimplotë ka për të qenë agjërimi yt. Kështu, unë të inkurajoj ta përshtatsh programin tënd sipas nevojës!


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si të merresh me reagimet e miqve dhe njerëzve të dashur

Shumë vetë ngurrojnë t’u thonë të tjerëve se po agjërojnë, në mënyrë që të shmangin mëkatin e farisenjve të cilët agjëronin thjesht sa për të rënë në sy. Unë besoj me forcë se ai qëndrim është një interpretim i gabuar i mësimit të Zotit tonë, e se ai është një kurth i armikut i cili nuk dëshiron që ne të agjërojmë, e as që të ndash dobitë e agjërimit me njerëzit e tu të dashur, fqinjët dhe miqtë.

Duke e izoluar veten nga mbështetja e të krishterëve të tjerë, ne do jemi më shumë të prekshëm prej dyshimeve si dhe ndikimeve negative (si atyre njerëzore ashtu edhe atyre demonike). Ne kemi nevojë për mburojën e lutjeve të miqve tanë të krishterë si dhe pjesëtarëve të familjes për të na ndihmuar të vazhdojmë kur ndjehemi vetëm, e kur armiku na tundon të heqim dorë nga Zoti ynë, ashtu siç tundoi Jezus Krishtin. Si përfundim, njerëzit kanë për ta vënë re që ti nuk je duke ngrënë.

Megjithëkëtë, kam vënë re se nëse ti nuk i takon ata përditë, ata nuk e shikojnë si ndonjë gjë të madhe nëse ti lë ndonjë vakt pa ngrënë. Nëse të pyesin, jobesimtarët mund të mjaftohen me një përgjigje të tillë të shkurtër si: “Kam plane të tjera për drekën sot.” Ose të krishterët duhet të mjaftohen nëse si përgjigje u thua se je duke agjëruar atë ditë.

Nëse miqtë dhe familjarët shprehin shqetësim për shëndetin tënd, largojua frikën duke u thënë se do ta ndalësh agjërimin në momentin kur do ndjesh se je duke e dëmtuar trupin tënd, ose nëse Zoti të drejton që ta përfundosh atë. Tregoju se je duke agjëruar nën kujdesin e mjekut, gjë të cilën unë të nxis që ta bësh nëse ke ndonjë pyetje për sa i takon shëndetit tënd.

Zakonisht nuk ka asnjë arsye për t’u treguar të panjohurve apo të njohurve të rastit që je duke agjëruar. Nëse u tregon, ata do të të bëjnë shumë pyetje të cilave ti mund të mos duash t’u japësh përgjigje. Por, sido që të jetë rasti, përdor gjykimin tënd më të mirë, dhe drejtimin nga Zoti kur vjen çështja për t’u treguar njerëzve rreth agjërimit tënd.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si ta bësh përvojën tënde shpirtërore më të mirën e mundshme

Marrja e bekimit më të mirë të Perëndisë nga një agjërim kërkon përkushtim të fortë. Caktimi i një kohe të veçantë për çdo ditë me Perëndinë është absolutisht i rëndësishëm për arritjen e një bashkësie të ngushtë me Atin. Ti duhet t’ia përkushtosh veten kërkimit të fytyrës së Perëndisë, edhe kur (dhe veçanërisht gjatë) atyre kohëve në të cilat ndjehesh i dobët, i cënueshëm, ose i acaruar. Lexoje Fjalën e Tij dhe lutu gjatë kohës në të cilën më përpara ushqeheshe. Përsiatu rreth Tij kur zgjohesh natën. Këndoi lavde kurdoherë që dëshiron. Përqendrohu tek Ati yt Qiellor, dhe bëje çdo veprim një veprim lavdërimi dhe adhurimi. Perëndia do të të bëjë të aftë të përjetosh urdhëresën e Tij që të “lutesh pa ndërprerje” ndërkohë që kërkon praninë e Tij.

Ndërkohë që hyn në këtë kohë përkushtimi të shtuar shpirtëror, kupto se Satani do të bëjë gjithçka që mundet që të të shkëpusë nga lutja dhe nga koha e leximit të Biblës. Kur ndjen sikur armiku po përpiqet të të dekurajojë, menjëherë shko tek Perëndia në lutje dhe kërkoji Atij të të forcojë vendimin tënd përballë vështirësive dhe tundimeve.

Armiku të shënjestron ngaqë ai e di se agjërimi është disiplina më e fuqishme nga të gjitha disiplinat e krishtera e ngaqë Perëndia mund të ketë diçka shumë të veçantë për të të treguar ndërkohë që ti pret për Të e kërkon fytyrën e Tij. Satani nuk dëshiron që ti të rritesh në besimin tënd e do të bëjë gjithçka për të të ndalur duke filluar që nga të të bërit të uritur dhe zemërak deri duke sjellë telashe në familjen apo në punën tënde. Bëje lutjen tënde një mburojë kundër sulmeve të tilla.

Arsyeja ime kryesore për agjërimin, është për një rizgjim personal frymëror, rizgjim shpirtëror për kombin tonë, për botën si dhe për plotësimin e Porosisë së Madhe. Por lutja për nevojat tona si dhe ndërhyrja për të tjerët janë gjithashtu arsye të rëndësishme për të agjëruar e për t’u lutur. Çoji nevojat e tua personale përpara Zotit, ndërmjetëso për njerëzit e tu të dashur, për miqtë, për kishën, për pastorin, për komunitetin tënd për kombin tënd dhe për botën. Përmes lutjeve me përulësi, ndërkohë që agjëron, do të ndihmosh që Porosia e Madhe të përmbushet.

Megjithëkëtë, mos u harro pas lutjeve për veten dhe për të tjerët aq sa të harrosh nderimin dhe lavdërimin e thjeshtë të Perëndisë. Agjërimi i vërtetë frymëror, përqendrohet tek Perëndia. Përqendroje të tërë qenien tënde tek Ai, qëndrimet, veprimet, motivet, dëshirat dhe fjalët e tua. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse Perëndia dhe Fryma e Tij e Shenjtë janë në qendër të vëmendjes tënde. Rrëfeji mëkatet e tua ndërkohë që Fryma e Shenjtë t’i sjell në vëmendje, dhe vazhdo të përqendrohesh tek Perëndia e vetëm tek Perëndia, në mënyrë që lutjet e tua të jenë të fuqishme dhe efikase.

Një afrimitet i ripërtërirë me Perëndinë si dhe një ndjeshmëri më e madhe ndaj gjërave shpirtërore, janë zakonisht rezultatet e një agjërimi. Mos u zhgënje nëse nuk ke një "përjetim sikur ke kapur qiellin me dorë," siç kanë disa. Shumë njerëz të cilët kanë përfunduar me sukses agjërime të zgjatura, tregojnë për ndjesi afërsie me Perëndinë të cilën nuk e kanë njohur më parë, ndërsa të tjerë të cilët me sinqeritet kanë kërkuar fytyrën e Tij, nuk raportojnë asnjë rezultat të caktuar të jashtëm. Për të tjerë, agjërimi i tyre ka qenë fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht rraskapitës, por ata e dinin se qenë thirrur nga Perëndia për të agjëruar, dhe e kryen agjërimin për Të si një veprim adhurimi; Perëndia e nderoi përkushtimin e tyre.

Motivi yt për agjërimin duhet të jetë përlëvdimi i Perëndisë, jo për të patur një përvojë emocionale, e jo për të arritur lumturi personale. Kur motivet e tua janë të duhurat, Perëndia do ta nderojë kërkimin e zemrës tënde, dhe do ta bekojë kohën që ti kalon me Të në një mënyrë shumë të veçantë.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si të ruash baraspeshën ushqimore dhe shëndetin nga fillimi në fund

Unë e di se ideja e qëndrimit pa ushqim për një periudhë të gjatë kohore, mund të jetë shqetësuese për disa, por ka mënyra për t’u siguruar që trupi yt po i merr vlerat ushqyese të cilat i duhen, në mënyrë që të mbetesh i sigurt dhe i shëndetshëm gjatë agjërimit tënd.

Për një agjërim të zgjatur, unë rekomandoj ujë, fruta dhe lëngje zarzavatesh. Sheqernat natyrale në lëngje sigurojnë energji, dhe shija e forca janë motivacionale për të vazhduar agjërimin tënd. Përpiqu që të pish lëngje të freskëta, nëse është e mundur. Produktet e lëngjeve që shiten të gatshme janë të pranueshme, për sa kohë që ato janë 100% lëngje frutash e nuk përmbajnë sheqer apo elementë të tjerë të shtuar.

Nëse je duke nisur një agjërim me lëngje frutash, ka një sërë të atillash që ti do doje t’i shmangie, e disa të tjerë të cilët janë veçanërisht të dobishëm. Për shkak të përmbajtjes së tyre acidore, shumica e dietologëve nuk këshillojnë përdorimin e lëngut të portokallit apo domates (ato tolerohen më mirë nëse përzihen me pjesë të barabarta uji). Lëngjet më të mira janë ato të karotës, rrushit, selinos, mollës, lakrës apo rrepave të freskëta. Ata rekomandojnë gjithashtu “pije jeshile” të bëra nga perime gjethe-blerta, pasi ato janë “de-toksifikues” të shkëlqyer.

Lëngjet e frutave janë “pastrues” dhe më mirë është t’i marrësh në mëngjes. Përderisa lëngjet e zarzavateve janë "rimëkëmbës" dhe "ndërtues," më mirë është që ato t’i marrësh pasdite.

Unë zakonisht ia dedikoj një pjesë të agjërimit tim 40 ditor, një formule të veçantë të lëngshme, të cilën përgjatë shumë viteve e kam parë efikase. Disa receta, si dhe komentet e mia janë në këtë faqe, bashkë me një program të dobishëm ditor.

Një gallon (3.7 litra) ujë të distiluar 1-1/2 filxhan lëngu limoni 3/4-filxhan shurup të pastër panje 1/4-lugë çaji piperi të kuq.

Lëngu i limonit i shton aromë dhe vitaminë C, shurup panje siguron energji, dhe piperi i kuq – një barishte – vepron për të hapur enët e vogla të gjakut, gjë që, besoj unë, e ndihmon trupin pasi e pastron nga toksinat e grumbulluara. (Një paralajmërim: paçka se unë përdor këtë formulë pa pësuar efekte të këqija, piperi i kuq mund të shkaktojë reagime të rënda fizike tek personat me një alergji specifike ndaj këtij bari.) Lëngu im i preferuar është një përziere e një lëngu 100% të pastër të rrushit të bardhë me lëng pjeshke. Në Amerikë, ky lëng gjendet në kanoçe të ngrira me etiketën Welch. Dietologët më të ditur rekomandojnë:

  • Shalqiun – thjesht vure në përzierës (mikser) pa i hedhur ujë
  • Lëng molle të freskët
  • Lëng jeshil – përzje selino, selinoja romaine, dhe karotat, në masa të barabarta. (Lëngjet e perimeve si ky, janë të rëndësishme, pasi ato ofrojnë elektrolitet e domosdoshme për funksionimin e duhur të zemrës!)

Disa dietologë rekomandojnë supë të ngrohtë, veçanërisht nëse jeton në vende me klimë të ftohtë. Recetat e tyre mund t’i shikosh si të dobishme:

  • Ziej në ujë patate e karota të prera në feta, bashkë me selino.
    Mos i hidh kripë.
    Pas rreth një gjysmë ore, kulloja ujin e pije.
  • Jepi një valë të shkurtër tre karotave, dy bishta selinoje, një rrepë, dy domate të vogla (pomodorini), një gjysmë koke lakër, çerekun e një tufe majdanozi, çerekun e një kokrre qepe, dhe gjysmë thelbi hudhre.
    Kulloje lëngun dhe pije deri dy apo tre herë në ditë.

Ti programin e mëposhtëm ditor, mund të gjesh të dobishëm gjatë agjërimit tënd. Ju rekomandoj që ta printoni e ta mbani pranë gjatë agjërimit tuaj.

  • 5:00 - 8:00 paradite
    Lëngje frutash, preferohen të sapo shtrydhura ose të përziera, të holluara në 50 përqind ujë nëse fryti përmban aciditete. Portokalli, molla, dardha, grejpfruti, papaja, rrushi, pjeshka ose fruta të tjerë, bëjnë punë.
  • 10:30 - mesditë
    Lëngu i perimeve jeshile, i përftuar nga marulja, selinoja dhe karotat, në tre pjesë të barabarta.
  • 2:30 - 4:00 pasdite.
    Çaj barishtor me një pikë mjaltë. Sigurohu që të mos jetë çaj i zi apo çaj me stimulant.
  • 6:00 - 8:30 pasdite.
    Lëngun e patave, selinos dhe karotave të ziera (pa kripë).

Ju sugjeroj të mos pini qumësht pasi ai është ushqim i pastër e për rrjedhojë e prish agjërimin. Të gjitha produktet të cilat përmbajnë proteina apo yndyra, të tilla si qumështi apo pijet me bazë soje, duhet të shmangen. Këto produkte do të rifillonin ciklin e tretjes, e ti do të ndjesh përsëri dhembjet e urisë. Gjithashtu, për arsye shëndetësore, qëndroju lart pijeve me përmbajtje kafeine të tilla si kafeja, çaji apo Koka Kola. Ngaqë kafeina është simulant, ajo ndikon më fuqishëm në sistemin tënd nervor kur abstenon nga ushqimi. Kjo funksionon kundër si aspekteve fizike ashtu edhe atyre shpirtërore të agjërimit.

Një faktor tjetër kyç në ruajtjen e një shëndeti optimal gjatë një agjërimi, është kufizimi i veprimtarisë tënde fizike. Bëj ushtrime vetëm me karar, dhe pusho aq sa do të ta lejojë programi yt (kjo vlen veçanërisht për agjërimet e zgjatura). Edhe dremitjet e shkurtra janë të dobishme. Ecja dy deri tre kilometra në ditë me një ritëm të moderuar, është e pranueshme për një person me shëndet të mirë e që po agjëron duke përdorur lëngjet e frutave. Por asnjë prej atyre që agjërojnë duke përdorur vetëm ujë, nuk duhet të bëjë ushtrime pa mbikëqyrjen e një specialisti agjërimesh.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Çfarë efektesh fizike të presësh

Paçka se agjërimi mund të jetë një bekim i papërshkrueshëm, nuk është gjithnjë i lehtë për të gjithë. Në këtë kohë disipline, vetë-sakrifikimi dhe reflektimi, mos u habit nëse përjeton siklet mendor dhe fizik.

Në fillim, ti mund të përjetosh një konflikt të brendshëm, kur ia mohon vetes kënaqësinë e të ngrënit të një ushqimi të shijshëm. Çfarëdo lloji agjërimi mund të të bëjë të ndjehesh i paduruar dhe i acaruar. Gjatë një agjërimi 3 ditor, kjo vështirësi mund të intensifikohet nga fundi i ditës së dytë. Ajo duket si koha e preferuar e “vetes” që të ngrihet e të thotë: “Deri këtu dëshiroj të shkoj. Kam bërë mjaft tashmë."


Efekti fizik

Dhimbjet e urisë: Këto janë më të forta zakonisht gjatë tre ditëve të para të agjërimit. Trupi yt po përshtatet me përdorimin e ushqimit që ke në rrugët tretëse (që mbetet atje për rreth tre ditë) me konsumin e yndyrave të akumuluara.

Mënyra e sugjeruar e lehtësimit të gjendjes:

Bima e psilljumit: Ndihmon në eliminimin e dhimbjeve të urisë, e gjithashtu ndihmon në pastrimin e trupit. Gjatë ditës mund të marrësh disa kapsula, bashkë me shumë ujë.

Tableta silimarine mund të jenë gjithashtu të dobishme sepse besohet se ato mbrojnë dhe rrisin pastrimin e mëlçisë.


Efekti fizik

Të ftohtë, erë e rëndë goje, dhe aroma të rritura trupore, ndryshime në jashtëqitje (kaps ose diare), trullosje, ndryshime në mënyrën e fjetjes dhe ëndërrimit, të prera dhe dhimbje.

Mbështjellja e gjuhës me një lëndë të bardhë, në fillim të një agjërimi, mund të jetë pjesë e mënyrës së trupit për nxjerrjen jashtë të toksinave.

Gjithashtu duhet të mendosh se do të shkosh shpesh në banjo (ke për të pirë sasi të mëdha uji!)

Mënyra e sugjeruar e lehtësimit të gjendjes:

Pas dy javëve të para të një agjërimi të zgjatur, shumë prej këtyre simptomave shuhen. Dhimbje të vazhdueshme në një zonë të caktuar të trupit, zakonisht nënkupton eliminimin e indeve të dhjamura është duke ndodhur në atë zonë, gjë e cila nuk është e dëmshme. Megjithëkëtë në rast dhimbjesh të gjithanshme duhet ta shqyrtosh menjëherë.

TI DUHET TA NDALËSH AGJËRIMIN NËSE JE DUKE PËRJETUAR DHIMBJE TË FORTA APO ËNJTJE.


Efekti fizik

Dhimbjet e kokës apo të stomakut mund të jenë pasojë e mungesës së konsumit të kripës, sheqerit apo kafeinës.

Mënyra e sugjeruar e lehtësimit të gjendjes:

Eliminimi i atyre artikujve nga dieta jote përpara agjërimit, është mënyra më e mirë për shmangien e këtyre dhimbjeve.


Efekti fizik

Dhimbje në fundin e shpinës mund të tregojnë se je duke u dehidratuar

Mënyra e sugjeruar e lehtësimit të gjendjes:

Pi më shumë lëngje


Efekti fizik

Marramendje mund të krijohen nga një ndryshim i papritur i qëndrimit trupor, si për shembull ngritja me vërtik nga një karrige.

Mënyra e sugjeruar e lehtësimit të gjendjes:

Ndalu për një moment a dy, pastaj vazhdo. Lëviz me ngadalë. (Një këshillë paralajmëruese: këto ndjesi mund të jenë simptomat treguese të të tjera problemesh të cilat kërkojnë vëmendje mjekësore).


Efekti fizik

Shqetësime të vogla si pasojë e agjërimit

Mënyra e sugjeruar e lehtësimit të gjendjes:

Merr sa një lugë çaji pluhur farash psilljumi në mëngjes dhe në mbrëmje. E përzierë në ujë të ngrohtë, ajo bëhet si pelte. Ky pluhur do ta shpejtojë eliminimin e toksinave nga zorra e trashë dhe ndihmon në parandalimin e dhimbjeve të kokës dhe marramendjen tek shumica e njerëzve të shëndetshëm. Tabletat Alfalfa mund të ndihmojnë për të mbajtur nën kontroll erën e rëndë të gojës si dhe në pastrimin e sistemit. Dy tableta njëherësh, mund të merren disa herë në ditë.


Në dëshirën time për të qenë absolutisht besnik në agjërimin tim 40 ditor, unë i lashë vitaminat dhe mineralet që merrja me tableta. Megjithëkëtë, gjatë agjërimeve të mëpastajme, kam ndjerë një shtysë të fortë që të vazhdoj me marrjen e vitaminave dhe terapisë barishtore, e që gjithashtu të përdor psilljum. Këtë e bëj për ta mbajtur “tempullin” tim të shëndetshëm ndërkohë që vazhdoj t’i mohoj vetes time kënaqësinë e ngrënies së ushqimit të fortë.

Gjatë agjërimit tënd, ti mund të kesh vështirësi, siklet, fitore shpirtërore si dhe dështime. Në mëngjes mund të të duket vetja sikur je në majën më të lartë të botës, ndërsa andej nga mbrëmja mund të jesh duke u përleshur me mishin, duke qenë tepër i tunduar për të bastisur frigoriferin, e mund të jesh duke numëruar se edhe sa ditë të tjera kanë mbetur në agjërimin tënd. Kështu ndodh veçanërisht kur je i ri në agjërim. Për t’iu kundërvënë tundimeve të tilla, kalo kohë shtesë me Zotin për të kaluar me Perëndinë. Dil jashtë për të marrë ajër të pastër e për një shëtitje me karar për rreth dy a tri kilometra, e fliti Zotit ndërkohë që ecën. Ndërkohë vazhdo të pishë shpesh herë ujë ose lëng frutash gjatë orëve që je zgjuar.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si ta përmbyllësh agjërimin tënd në një mënyrë të shëndetshme

Të gjithë ekspertët janë të një mendjeje se “përfundimi i agjërimit” është faza kritike e tij. Ndërkohë që trupi është në një gjendje prehjeje, stomaku yt tkurret dhe zorrët të zbrazen, kështu që ushqimi i fortë duhet të merret sërish shumë gradualisht, për të shmangur mosfunksionimin e veshkave apo vështirësitë në tretje. Faktikisht, pas një agjërimi 40 ditor, ti duhet të bësh një kalim (tranzicion) të kujdesshëm për të paktën tre ditë përpara se t’i rikthehesh ngrënies së mishrave apo yndyrnave apo ushqimeve të zakonshme.

Për më tepër, nëse e përfundon gradualisht agjërimin tënd, efektet e dobishme fizike dhe frymërore, kanë për të vazhduar për ditë të tëra, por nëse nxitohesh për të ngrënë ushqime të forta, mund të humbasësh një pjesë të mirë të ndjesisë së thellë të paqes e të përjetosh probleme fizike të tilla si diare, sëmundje, të fiktë, dhe madje, sinqerisht, edhe vdekje në disa raste, si pasojë e ndryshimit të beftë!

Dr. Poll Breg (Paul Bragg) dhe vajza e tij Patrisia (Patricia) kanë drejtuar klinika agjërimi për shumë vite. Libri i tyre Mrekullia e agjërimit (The Miracle of Fasting), jep një plan specifik ditor për përmbylljen e një agjërimi 7 ditor, i cili mund të adaptohet e të zgjatet edhe për shumë ditë të tjera për një agjërim 40 ditor.

Përmbyllja e një agjërimi shtatë ditor

Ora 5 kur mbaron ditën e 7të të agjërimit

  • Hiqu lëkurën katër apo pesë domateve me madhësi mesatare – priti, jepi një valë e pastaj fike vatrën. Kur të jenë ftohur aq sa mund të hahen, ha sa të dëshirosh.

Mëngjesi i ditës së 8të

  • Sallatë me karota dhe lakër të grira, me gjysmë portokalli të shtrydhur përsipër.
  • Një tas me barishte të gatuara në avullin e vet dhe domate të qëruara (spinaq, rrepë e kuqe zvicerane, ose barishte mustarde). Jepu një valë barishteve, pastaj fike vatrën.
  • Ti mund të hash dy feta buke 100 përqind gruri e cila është thekur derisa të jetë tharë plotësisht. Kjo quhet "tost Melba." Pasi të jetë ftohur, buka e thekur duhet të jetë aq e thatë saqë të bëhet pluhur nëse e mbledh në dorë. Siç kam thënë, ushqimi i parë duhet të merret në mëngjes.
  • Gjatë ditës mund të pish aq ujë të distiluar sa të dëshirosh.
  • Për darkë, mund të hash një sallatë karotash të grira, selino dhe lakër të prerë në copa, me lëng portokalli përsipër. Këtë e shoqëron me dy perime të gatuara, njëra e llojit spinaq, lakër jeshile, gjethe hardalli, ose barishte mustarde, dhe njëra e tipit barbunja, karota, selino e gatuar në avullin e vet, bamje, ose kungull. Mund të hash dy feta "tosti Melba" tërësisht prej gruri Këto vakte ushqimore nuk duhet të përmbajnë asnjë lloj vaji.

Mëngjesi i ditës së 9të

  • Ti mund të hash çfarëdo sallate me fruta të freskët si banane, ananas, portokalle, grejpfrut ose mollë të prerë në feta. Këtë mund ta spërkasësh me dy lugë gjelle farash gruri të pagatuara, e ta ëmbëlsosh me mjaltë, por jo më shumë se me një lugë gjelle.
  • Në mesditë mund të hash një sallatë me karota, lakër dhe selino të grira, me një perime të gatuar dhe një fetë "tost Melba."
  • Në darkë mund të hash një pjatë me marule, lakërishtë, majdanoz, dhe domate, si dhe dy perime të gatuara.

Shumica e ekspertëve janë të një mendjeje që mbyllja e agjërimit duke ngrënë perime, qoftë të gatuara në avull qoftë të pagatuara, është gjëja më e mirë. Stomakun tani e ke më të vogël kështu që ha ushqim më të lehtë. Ndalo së ngrëni që përpara se të ndjehesh i ngopur. Qëndroju larg ushqimeve të tilla me përmbajtje niseshteje si makarona, patate, pilaf ose bukë (me përjashtim të "tost Melbas") për të paktën një javë. Gjithashtu shmang ngrënien e mishit, produkteve bulmetore, dhe çfarëdo yndyrash apo vajrash për një javë apo më shumë. Fillo t’i hash shumë gradualisht e në sasi të vogla.

Agjërimet e zgjatura nuk janë të vetmet agjërime të cilat duhen mbyllur me kujdes. Edhe një agjërim 3 ditor kërkon kujdes në një shkallë të arsyeshme. Është mirë të fillosh me pak supë – diçka jo të trashë por ushqyese si për shembull lëng perimesh të përftuar nga qepë, selino, patate dhe karota – si dhe fryte të freskët të tillë si shalqiri dhe pjepri.

Për sa i takon rifillimit të çfarëdo rutine ushtrimesh, këshilla është po ajo. Fillo me ngadalë, duke i lejuar trupit kohë që të ri-përshtatet me regjimin e tij të zakonshëm.