Unë besoj se fuqia e agjërimit në lidhje me lutjen, është bomba atomike shpirtërore të cilën Zoti ynë na e ka dhënë për të shkatërruar fortesat e të ligut dhe për t’i hapur rrugën një rizgjim të madh dhe një të korrë të madhe frymërore në botën mbarë.

Gjithnjë e më shumë jam mbërthyer nga një ndjenjë në rritje e një urgjence për t’i thirrur Perëndisë që të dërgojë rizgjim shpirtëror në vendin tonë të dashur. Në pranverën dhe verën e vitit 1994, unë kisha një bindje gjithnjë e më të madhe që Perëndia dëshironte prej meje që të agjëroja dhe lutesha për dyzet ditë për rizgjim shpirtëror në Amerikë si dhe për plotësimin e Porosisë së Madhe në bindje ndaj urdhëresës së Zotit tonë.

Në fillim e vura në pikëpyetje: “A është me të vërtetë kjo thirrja e Perëndisë për mua?” Dyzet ditë qe kohë e gjatë qëndrimi pa ushqim të fortë. Por me çdo ditë që kalonte, thirrja e Tij u bë më e fortë dhe më e qartë. Më në fund m’u mbush mendja. Perëndia po më bënte thirrje që të agjëroja, dhe një thirrje të tillë Ai nuk do ta bënte pa patur një arsye apo qëllim specifik. Me këtë bindje, unë hyra në agjërim me entuziazëm dhe pritshmëri gjithnjë e më të larta në zemër, duke u lutur: “Zot, çfarë dëshiron që unë të bëj?"

Besoj se një agjërim i tillë i gjatë, qe një thirrje sovrane prej Perëndisë për shkak të shkallës së madhe të mëkateve të Amerikës dhe të Kishës. Zoti ma nguliti këtë gjë në zemër, bashkë me një nevojë urgjente për të dhënë ndihmesën time në përshpejtimin e plotësimit të Porosisë së Madhe brenda këtij brezi.

Kur fillova agjërimin, nuk isha i sigurt se mund ta vazhdoja për dyzet ditë, por i besoja Zotit se Ai do të më ndihmonte. Çdo ditë, prania e Tij më inkurajoi që të vazhdoja. Sa më gjatë agjëroja, aq më shumë e ndjeja praninë e Zotit. Fryma e Shenjtë ma ripërtëriu frymën dhe shpirtin tim, dhe unë përjetova gëzimin e Zotit si rrallë herë më parë. Të vërteta biblike më kërcenin përpara nga faqet e Fjalës së Perëndisë. Besimi m’u rrit ndërkohë që e përula veten e i thirra Perëndisë, dhe ndërkohë që u gëzoja në praninë e Tij.

Këto dolën të ishin dyzet ditët më të rëndësishme të jetës time. Ndërsa pritja për Zotin, Fryma e Shenjtë më dha sigurinë që Amerika si dhe një pjesë e mirë e botës, përpara fundit të vitit 2000 do të përjetonte një zgjim të madh frymëror. Kjo vizitë hyjnore nga qielli do të ndezë të korrën më të madhe frymërore në historinë e Kishës. Por përpara se Perëndia të vijë me fuqi rizgjimi frymëror, Fryma e shenjtë ka për të thirrur miliona vetë nga njerëzit e Perëndisë që të pendohen, agjërojnë dhe luten në frymën e “2 Kronikat” 7:14:

Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t`i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij.

Kuadri i këtij rizgjimi, varet nga mënyra se si besimtarët në Amerikë si dhe në pjesën tjetër të botës i përgjigjen kësaj thirrjeje. Unë kam kaluar pesëdhjetë vjet duke studiuar Fjalën e Perëndisë si dhe duke dëgjuar zërin e Tij, dhe mesazhi i Tij kësaj here nuk mund të ishte më i qartë.

Ky udhëzues praktik referimi, Shtatë Hapat Bazë për Agjërimin dhe Lutjen e Suksesshme, do të ndihmojnë për ta bërë kohën tënde me Zotin më shpërblyese nga ana shpirtërore. Të inkurajoj që ta mbash me vete gjatë agjërimit tënd e t’i referohesh shpesh për shkak se ai na jep sugjerime të lehta për t’u zbatuar rreth mënyrës se si të fillosh agjërimin tënd, çfarë të bësh gjatë kohës që agjëron, si dhe se si ta përmbyllësh atë siç duhet.

Gjatë agjërimit tim dyzet ditor, Perëndia më nguliti në zemër që të lutesha që dy milion të krishterë në Amerikën e Veriut të agjërojnë për dyzet ditë deri në fundin e vitit 2000, e që ata të luteshin për një rizgjim kombëtar si dhe mbarëbotëror, si dhe për përmbushjen e Porosisë së Madhe. Ju nxis që me lutje ta merrni në shqyrtim këtë sfidë.

Përpara se të agjëroni, ju inkurajoj që të lexoni librin tim: Rizgjimi frymëror që po vjen: Thirrja ndaj Amerikës për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të “Kërkuar fytyrën e Perëndisë” (The Coming Revival: America's Call to Fast, Pray, and "Seek God's Face.") Ai libër do t’ju ndihmojë të pajiseni për zgjimin frymëror që po vjen.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si të fillosh agjërimin tënd

Mënyra se si ti e fillon dhe vazhdon agjërimin tënd, do të përcaktojë gjerësisht suksesin tënd. Duke ndjekur këto shtatë hapa bazë të agjërimit, ti ke për ta bërë kohën tënde me Zotin më kuptimplotë e më shpërblyese nga ana shpirtërore.

HAPI 1: Cakto objektivat e tua

Përse po agjëron? A e bën për ripërtëritje shpirtërore, për udhëzim, për shërim, për zgjidhje problemesh, për hir të veçantë me të cilin të përballosh një situatë të vështirë? Kërkoji Frymës së Shenjtë që të të bëjë të qartë drejtimin e Tij dhe objektivat për agjërimin me lutje tëndin. Kjo ka për të të mundësuar që të lutesh më specifikisht dhe më strategjikisht.

Përmes agjërimit dhe lutjes ne e përulim veten përpara Perëndisë, në mënyrë që Fryma e Shenjtë ta trazojë shpirtin tonë, të zgjojë kishat tona, e të shërojë tokën tonë në përputhje me “2 Kronikat” 7:14. Bëje këtë një prioritet në agjërimin tënd.

HAPI 2: Ndërmerr zotimet e tua

Lutu për llojin e agjërimit që duhet të ndërmarrësh. Jezusi la të kuptohej se të gjithë pasuesit e Tij duhet të agjërojnë (‘Mateu” 6:16-18; 9:14,15) Për Të, çështja qe se kur besimtarët do të agjëronin, jo nëse do të agjëronin. Përpara se të agjërosh, cakto paraprakisht gjërat e mëposhtme:

  • Për sa kohë do agjërosh – një vakt ushqimor, një ditë, një javë, disa javë, dyzet ditë

(Fillestarët duhet ta marrin shtruar, duke shkuar gradualisht tek agjërimet e zgjatura.)

  • Lloji i agjërimit që Perëndia dëshiron që të ndërmarrësh (si për shembull vetëm ujë, ujë dhe lëngje frutash; çfarë lloji lëngu frutash e sa shpesh do ta konsumosh)
  • Cilat veprimtari fizike apo shoqërore do të kufizosh
  • Sa kohë për çdo ditë do t’u kushtosh lutjes dhe Fjalës së Perëndisë

Përkushtimi paraprakisht ndaj të lartpërmendurave, do të të ndihmojë ta mbash agjërimin kur tundimet fizike dhe presioni i jetës të të tundojë që ta ndërpresësh atë.

HAPI 3: Përgatite veten shpirtërisht

Vetë themeli i agjërimit dhe lutjes, është pendesa. Mëkati jo i rrëfyer do t’i pengojë lutjet e tua. Këtu janë një sërë gjërash që ti mund të bësh për ta përgatitur zemrën tënde:

  • Kërkoji Perëndisë që të të ndihmojë për të bërë një listë përmbledhëse të mëkateve të tua.
  • Rrëfe çdo mëkat që Fryma e Shenjtë të sjell ndër mend dhe prano faljen nga Perëndia (“1 Gjonit” 1:9).
  • Kërkoju të falur të gjithë atyre ndaj të cilëve ke kryer faj, si dhe fal të gjithë ata të cilët të kanë lënduar (“Marku” 11:25; “Luka” 11:4; 17:3,4).
  • Bëj zhdëmtime sipas asaj që Fryma e Shenjtë të drejton.
  • Kërkoji Perëndisë që të të mbushë me Frymën e Shenjë, në përputhje me urdhëresën e Tij tek “Efesianëve” 5:18 si dhe premtimin e Tij tek “1 Gjonit” 5:14,15.
  • Dorëzoja jetën tënde plotësisht Jezus Krishtit si Zoti dhe Mësuesi yt; refuzo t’i bindesh natyrës tënde sipas botës (“Romakëve” 12:1,2).
  • Përsiatu rreth cilësive të Perëndisë, mbi dashurinë, sovranitetin, fuqinë, mençurinë, besnikërinë, hirin, dhembshurinë dhe cilësitë e tjera të Tij (“Psalmi” 48:9,10; 103:1-8, 11-13).
  • Filloje kohën tënde të agjërimit dhe lutjes me një zemër me pritshmëri (“Hebrenjve” 11:6).
  • Mos e nënvlerëso kundërshtinë frymërore. Satani nganjëherë e intensifikon betejën e natyrshme mes trupit dhe frymës (“Galatasve” 5:16,17).

HAPI 4: Përgatite veten fizikisht

Agjërimi kërkon marrjen e masave të arsyeshme paraprake. Këshillohu fillimisht me mjekun tënd, veçanërisht nëse je nën trajtim mjekësor ose nëse ke një sëmundje kronike. Disa njerëz nuk duhet të agjërojnë kurrë pa patur mbikëqyrje profesionale. Përgatitja fizike është ajo që shkakton ndryshimin drastik në rutinën tënde të të ngrënit paksa më lehtë, në mënyrë që t’ia kthesh plotësisht vëmendjen Zotit tënd në lutje.

  • Mos u nxito në agjërimin tënd.
  • Përgatite trupin tënd. Ha vakte më të mpakura ushqimore përpara se të nisësh agjërimin. Shmang ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre si dhe ushqimet e ëmbla.
  • Përpara se të nisësh një agjërim, ha fruta dhe perime të pagatuara për dy ditë.

Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Ndërkohë që agjëron

Koha jote e agjërimit dhe lutjes ka ardhur. Ti po abstenon nga të gjitha ushqimet e forta dhe ke filluar që të kërkosh Zotin. Këtu janë disa sugjerime të dobishme që mund të marrësh parasysh:

  • Shmang ilaçet, madje edhe ilaçet barishtore si dhe kurat homeopatike. Ilaçet duhet të merren vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut tënd.
  • Kufizoji veprimtaritë e tua.
  • Ushtrime bëj me karar. Shëtit dy deri në pesë kilometra në ditë nëse është e mundur e nëse kjo nuk të prish rehatinë.
  • Pusho aq sa të ta lejoje programi yt ditor.
  • Përgatite veten për gjendje të shqetësuar të përkohshme mendore, të tilla si gjendje padurimi, acarimi, dhe ankthi.
  • Prit të kesh ca vështirësi, fizike, veçanërisht gjatë ditës së dytë. Mund të ndjeni dhimbje të shpeshta nga uria, marrje mendsh, ose rënie të humorit. Largimi prej kafeinës dhe sheqerit mund të shkaktojë dhimbje koke. Bezdisjet fizike mund të përfshijnë gjithashtu dobësi, lodhje dhe pagjumësi.

Dy ose tre ditët e para janë zakonisht më të vështirat. Ndërkohë që vazhdoni të agjëroni, ju me shumë mundësi do të përjetoni një ndjenjë mirëqenieje si fizike ashtu edhe shpirtërore. Megjithëkëtë, nëse ndjen dhembjet e urisë, rrite sasinë e lëngjeve që konsumon.

HAPI 5: Jeto me program ditor

Për dobi maksimale frymërore, cakto mënjanë kohë të bollëkshme për të qenë vetëm me Zotin.

Mbaj vesh për drejtimin prej Tij. Sa më tepër kohë që të kalosh me Të, aq më kuptimplotë ka për të qenë agjërimi yt.

Mëngjesi

  • Filloje ditën me lavdërim dhe adhurim.
  • Lexo dhe përsiatu mbi Fjalën e Perëndisë, mundësisht në gjunjë.
  • Ftoje Frymën e Shenjtë që të punojë tek ti vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij, siç tregohet tek “Filipianëve” 2:13.
  • Ftoje Perëndinë që të të përdorë. Kërkoji të të tregojë se si të ndikosh botën, familjen, kishën, komunitetin, vendin tënd dhe edhe më tej.
  • Lutu për vizionin e Tij për jetën tënde si dhe për fuqizim prej Tij për të bërë vullnetin e Tij.

Mesditë

  • Kthehu tek lutja dhe Fjala e Perëndisë.
  • Bëj një shëtitje-lutjeje të shkurtër.
  • Kalo kohë në lutje ndërmjetësuese për drejtuesit e komunitetit si dhe të vendit tënd, për milionat e njerëzve të paungjillëzuar në botë, për familjen ose nevojat e tua të veçanta.

Mbrëmja

  • Rri vetëm për një kohë pa u ngutur "duke kërkuar fytyrën e Tij."
  • Nëse të tjerë janë duke agjëruar bashkë me ty, mblidhuni bashkë për t’u lutur.
  • Shmang televizorin ose çfarëdo faktori tjetër shpërqendrues i cili mund të shpërqendrojë fokusin tënd shpirtëror.

Kur ta kesh të mundur, filloje dhe përfundoje secilën ditë, në gjunjë me bashkëshortin/bashkëshorten tende për një kohë të shkurtër lavdërimi dhe mirënjohjeje ndaj Perëndisë. Periudha më të gjata me Zotin tonë në lutje dhe në studimin e Fjalës së Tij, shpesh herë kalohen më mirë vetëm.

Një rutinë dietike për sa i takon ditës, është gjithashtu jetike. Dr. Julio C. Ruibal – që është dietolog, pastor dhe specialist në agjërimin dhe lutjen, sugjeron një orar ditor dhe një listë të lëngjeve që mund t’i gjeni të dobishme e të kënaqshme. Programin si dhe pijet që konsumon, modifikoji në mënyrë që t’u përshtatet rrethanave dhe shijeve të tua.

5 - 8 paradite

  • Lëngjet e futave, preferohen ato të sapo-shtrydhurat ose të përziera apo të holluara në 50 përqind ujë të distiluar nëse fruti përmban aciditet. Molla, dardha, rrushi, papaja, shalqiri, ose lëngje të tjera frutash, janë ato që preferohen në përgjithësi. Nëse nuk mund ta përftosh vetë lëngun e frutave, bli të gatshme nga ato pa sheqer të shtuar.

10:30 paradite - mesditë

  • Lëng i freskët perimesh nga marulja, selinoja, dhe karotat, në tre pjesë të barabarta.

2:30 pasdite - 4 pasdite

  • Çaj barishtor me një pikë mjalti. Shmang çajin e zi ose çfarëdo çaji me kafeinë.

6 pasdite - 8:30 pasdite

  • Lëng të përftuar nga patate, selino, si dhe karota të ziera, pa kripë. Pasi i zien për rreth gjysmë ore, hidhe ujin në një enë dhe pije.

Këshilla rreth agjërimit me konsumim të lëngjeve të frutave

  • Pirja e lëngjeve të frutave, ka për t’i zbutur dhimbjet e urisë e do të të japë një energji të natyrshme sheqerore. Shija dhe energjia do të të motivojë e ka për të të forcuar që të vazhdosh.
  • Lëngjet më të mira të frutave, bëhen nga shalqiri, rrushi, mollët, lakra, panxhari, karotat, ose nga perimet e tjera gjethe-blerta. Në mot të ftohtë, mund të shijosh një lëng të ngrohtë zarzavatesh.
  • Lëngje të përziera acidike (portokall dhe domate) me ujë, për hatër të stomakut.
  • Shmang pijet të cilat përmbajnë kafeinë. Dhe shmang përtypjen e çamçakëzit apo menteve, edhe nëse të vjen erë goja. Mos përtyp të atilla pasi ato stimulojnë veprim tretës në stomakun tënd.

Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si të përmbyllësh agjërimin tënd

Kur koha që kishe caktuar për agjërim të ketë mbaruar, ti do të fillosh të ushqehesh sërish, por mënyra se si e ndërpret agjërimin tënd është tejet e rëndësishme për mirëqenien tënde si fizike ashtu edhe shpirtërore

HAPI 6: Përfundoje gradualisht agjërimin tënd

Fillo gradualisht të ngrënit. Mos ha ushqime të forta menjëherë pasi ke agjëruar. Marrja e papritur e ushqimeve të forta për stomakun dhe aparatin tretës tëndin, me shumë të ngjarë ka për të patur pasoja negative, madje të rrezikshme. Provo të ushqehesh me disa vakte ushqimore më të vogla, ose me meze të lehtë për çdo ditë. Nëse e përfundon agjërimin tënd gradualisht, efektet e dobishme fizike dhe shpirtërore do çojnë në një shëndet të mirë të vazhduar.

Këtu janë disa sugjerime për të të ndihmuar ta përfundosh siç duhet agjërimin tënd:

  • Përfundoje një agjërim të zgjatur pa ujë, me fruta të tilla si shalqiri.
  • Ndërkohë që vazhdon të pishë lëngje frutash apo perimesh, shto të mëposhtmet:
    Dita e parë: Shto një sallatë shqeto.
    Dita e dytë: Shto patate të pjekura ose të ziera, pa gjalpë e pa erëza.
    Dita e tretë: Shto zarzavate të gatuara në avullin e tyre.
    Pas kësaj: Fillo të rikthehesh tek dieta jote e zakonshme.
  • Kthehu gradualisht tek të ngrënit e zakonshëm, me disa meze të vogla gjatë ditëve të para. Fillo me pak supë si dhe fruta të freskëta të tilla si shalqiri dhe pjepri.

Përparo me pak lugë gjelle ushqimi të fortë, si për shembull fruta dhe zarzavate të pagatuara, ose sallatë e pagatuar dhe patate furre.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Një fjalë e fundit

HAPI 7: Prit të kesh rezultate

Nëse ti me sinqeritet e përul veten përpara Zotit, pendohesh, lutesh dhe kërkon fytyrën e Perëndisë; nëse ti mediton pandërprerë mbi Fjalën e Tij, do të përjetosh një vetëdijshmëri më të lartë të pranisë së Tij (“Gjoni” 14:21). Zoti do të të japë njohuri të thella të freskëta e frymërore. Mirëbesimi dhe besimi yt tek Perëndia do të fortësohet. Do të ndjehesh i rifreskuar mendërisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Do të shikosh përgjigje ndaj lutjeve të tua.

Gjithsesi, një agjërim i vetëm, nuk është një kurë shpirtërore për gjithçka. Ashtu siç kemi nevojë për mbushje të reja nga Fryma e Shenjtë përditë, po ashtu ne kemi gjithashtu nevojë për kohë të reja agjërimi përpara Perëndisë. Për shumë të krishterë, një agjërim 24 orësh çdo javë ka rezultuar shumë i dobishëm.

Forcimi i muskujve të tu shpirtërorë të agjërimit, do kohë. Nëse nuk arrin t’ia dalësh gjatë ditës tënde të parë të agjërimit, mos u dekurajo. Ndoshta ti je përpjekur për të agjëruar për një kohë tepër të gjatë që me herën e parë, ose mund të kesh të nevojshme të fortësosh kuptueshmërinë dhe vendosmërinë tënde. Sa më shpejt që të jetë e mundur, nis një agjërim tjetër derisa t’ia dalësh mbanë. Perëndia ka për ta nderuar për besnikërinë tënde.

Unë të inkurajoj që të bashkohesh vazhdimisht me mua në agjërim dhe lutje, derisa me të vërtetë të përjetojmë rizgjim shpirtëror në shtëpitë, kishat si dhe në vendin tonë të dashur e në mbarë botën.


Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

Si të ushtrosh e të ruash rizgjimin personal shpirtëror

  1. Kërkoji Frymës së Shenjtë që të zbulojë çfarëdo mëkati të parrëfyer në jetën tënde.
  2. Kërkoju falje të gjithë atyre ndaj të cilëve ke bërë faj, dhe fali të gjithë ata të cilët të kanë lënduar. Atje ku Perëndia të drejton, bëj zhdëmtime.
  3. Shqyrto motivet e tua në çdo fjalë e vepër. Kërkoji Zotit që të kontrollojë dhe të ta pastrojë zemrën përditë.
  4. Kërkoji Frymës së Shenjtë që ta ruajë ecjen tënde nga vetëkënaqësia dhe mediokriteti.
  5. Lavdëro dhe falëndero vazhdimisht Perëndinë, në të gjitha mënyrat e për çdo ditë, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhesh.
  6. Refuzo t’i bindesh natyrës tënde të mishtë (sipas botës) (“Galatasve” 5:16,17).
  7. Dorëzoja jetën Jezus Krishtit si Shpëtimtari dhe Zoti yt. Krijo një varësi të thellë prej Tij me nënshtrim dhe përulësi të plotë.
  8. Studio vetitë e Perëndisë.
  9. Ki uri dhe etje për drejtësi (“Mateu” 5:6).
  10. Duaje Perëndinë me gjithë zemër, shpirt dhe mendje (“Mateu” 22:37).
  11. Përvetëso plotësinë dhe kontrollin e vazhdueshëm prej Frymës së Shenjtë me anë të besimit e mbi bazën e urdhëresës së Perëndisë (“Efesianëve” 5:18) dhe premtimit (“1 Gjonit” 5:14,15).
  12. Lexo, studio, përsiatu, dhe mëso përmendësh përditë Fjalën e shenjtë, frymëzuese e të pagabueshme të Perëndisë (“Kolosianëve” 3:16).
  13. Lutu pa ndërprerje (“1 Thesalonikasve” 5:17).
  14. Agjëro dhe lutu në një periudhë 24-orëshe çdo javë. Me lutje shqyrto mundësinë për t’u bërë edhe ti një nga dy milion të krishterët të cilët do të agjërojnë për dyzet ditë përpara fundit të vitit 2000.
  15. Kërko mundësi për të ndarë Krishtin me të tjerët, duke e kthyer në një mënyrë jetese.
  16. Ji i vendosur për të jetuar një jetë të shenjtë, të perëndishme bindjeje dhe besimi.
  17. Nis ose bashkohu me një grup studimi Bible shtëpie apo kishe, i cili i thekson rizgjimin shpirtëror si dhe një jetë të shenjtë.

Kliko KETU te shkosh ne FILLIM te faqes

6 Pyetje jetike rreth lutjes

Pyetje: Çfarë është lutja?

E thënë thjesht, lutja është komunikim me Perëndinë. Lutja e vërtetë, është shprehje e përkushtimit tonë ndaj Atit tonë qiellor, duke e ftuar atë që të na flasë ashtu siç ne i flasim Atij.

Pyetje: Kush mund të lutet?

Kushdo mund të lutet, por vetëm ata të cilët mund të ecin me besim dhe bindje ndaj Krishtit mund të presin të marrin përgjigje ndaj lutjeve të tyre.

Kontakti me Perëndinë fillon kur ne pranojmë Jezusin në jetën tonë si Shpëtimtar dhe Zot (“Gjoni” 14:6). Të luturit me një zemër të pastër është gjithashtu jetike për një lutje të suksesshme. Ne nuk mund të presim që Perëndia t’u përgjigjet lutjeve tona nëse në jetën tonë ka ndonjë mëkat të parrëfyer, ose nëse jemi duke mbajtur përbrenda një frymë mosfalëse (“Psalmi” 66:18; “Marku” 11:25). Që Perëndia t’u përgjigjet lutjeve tona, ne duhet të kemi një zemër besuese e të kërkojmë në përputhje me vullnetin e Tij (“Mateu” 9:29; 21:22; “1 Gjonit” 5:14,15).

Pyetje: Përse duhet që të lutemi?

Fjala e Perëndisë na urdhëron që të lutemi (“Luka” 18:1; “Veprat” 6:4; “Marku” 14:38; “Filipianëve” 4:6; “Kolosianëve” 4:2; “1 Timoteut” 2:1,2).

Ne lutemi që të kemi bashkësi me Perëndinë, për të marrë ushqim dhe forcë shpirtërore, për të jetuar një jetë me fitore, e për të ruajtur guximin për një dëshmi jetike për Krishtin.

Lutja çliron fuqinë e Perëndisë për të ndryshuar kursin e natyrës, njerëzve dhe kombeve.

Pyetje: Kujt i lutemi ne?

Ne i lutemi Atit në emrin e Zotit Jezus Krisht, nëpërmjet shërbesës së Frymës së Shenjtë. Kur i lutemi Atit, lutjet tona pranohen nga Jezus Krishti dhe i komunikohet Perëndisë At nëpërmjet Frymës së Shenjtë (“Romakëve” 8:26, 27,34).

Pyetje: Kur duhet të lutemi?

Fjala e Perëndisë na urdhëron që të “Lutemi pandërprerë” (“1 Thesalonikasve” 5:17). Ne mund të jemi në lutje përgjatë gjithë ditës, duke shprehur dhe demonstruar përkushtimin tonë ndaj Perëndisë, ndërkohë që kryejmë detyrat tona të përditshme.

Nuk është gjithnjë e nevojshme që të qëndrojmë në gjunjë, apo qoftë edhe në një dhomë të qetë për t’u lutur. Perëndia dëshiron që ne të qëndrojmë në kontakt me Të në mënyrë të vazhdueshme, kudo ku jemi. Ne mund të lutemi në makinë, ndërkohë që lajmë pjatat apo teksa ecim rrugës.

Pyetje: Çfarë duhet të përfshijmë në lutjet tona?

Paçka se lutja jonë nuk mund të reduktohet në një formulë, disa elementë të caktuar bazë, duhet të përfshihen në komunikimin tonë me Perëndinë: Admirim, Rrëfimi, Falënderimi, Kërkesa.

Admirimi

Të admirosh Perëndinë do të thotë ta adhurosh dhe ta lavdërosh Atë, ta nderosh e ta përlëvdosh Atë në zemër dhe mendje me buzët tona.

Rrëfimi

Kur disiplina jonë e lutjes fillon me admirimin, Fryma e Shenjtë ka mundësinë për të nxjerrë në pah çfarëdo mëkati në jetën tonë që ka nevojë të rrëfehet.

Falënderimi

Një qëndrim mirënjohës ndaj Perëndisë, për atë që Ai është si dhe për dobitë që ne shijojmë për shkak se i takojmë Atij, na bën të aftë për të kuptuar se Ai i kontrollon të gjitha gjërat – jo vetëm bekimet, por edhe problemet dhe vështirësitë. Ndërkohë që i qasemi Perëndisë me një zemër mirënjohëse, Ai forcohet për ne.

Kërkesa

Kërkesa përfshin peticionin për nevojat tona si dhe ndërmjetësimin për të tjerët. Lutu që personi yt i brendshëm të rinovohet, të jetë gjithnjë i ndjeshëm ndaj dhe i fuqizuar prej Frymës së Shenjtë. Lutu për të tjerët – bashkëshorten, fëmijët, prindërit, fqinjët dhe miqtë; për kombin tonë si dhe ata të cilët janë në autoritet mbi ne. Lutu për shpëtimin e shpirtrave, për një mundësi të përditshme për t’u prezantuar të tjerëve Krishtin si dhe për shërbesën e Frymës së Shenjtë, si dhe për plotësimin e Porosisë së Madhe.